1.9 milion euro për stadiumin nacional që do të ndërtohet në Drenas

Shpenzimet për kulturë, rini dhe sport planifikohen që të rriten për 36%. Nga 25.1 milionë euro sa do të shpenzohen deri në fund të vitit 2017, në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 39 milionë euro.

Në infrastrukturë të sportit për vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 13.9 milionë euro, prej tyre 9.1 milionë nga të hyrat buxhetore dhe 4.8 milionë euro nga të hyrat prej privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore- AKP-së.

Në mesin e projekteve që janë përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2018 është edhe stadiumi nacional, për të cilin janë ndarë 1 milion e 950 mijë euro.

Stadiumi është bërë ndaras prej Qendrës Nacionale të Sportit në Bërnicë të Poshtme. Gazeta JnK ka raportuar se me iniciativë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, stadiumi është bartuar në Drenas, ndërsa në Bërnicë do të ndërtohet Qendra Nacionale e Sportit.

Futja në buxhet i projekteve të ndara e rikonfirmon ndryshimin e lokacionit të stadiumit nacional të Republikës së Kosovës.

Në buxhet janë përfshirë edhe projektet për ndërtimin e palestrave sportive në: Istog, Rahovec, Deçan, Skenderaj, Kaçanik, Viti, Dragash, Samadrexhë të Vushtrrisë, Zhegër të Gjilanit, Podujevë, Zahaq të Pejës, Krushë të Madhe, Shtime dhe Loxhë të Pejës.

Po ashtu planifikohet edhe renovimi i poligoneve sportive shkollore, renovimi i palestrave ekzistuese sportive në qendrat regjionale, renovimi i stadiumeve ekzistuese te futbollit në qendrat regjionale, renovimi i Stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, renovimi i stadiumeve në: Prishtinë, Suharekë, Gjilan, Ferizaj dhe Rahovec.

Lexo edhe:  Avdijaj, talent i jashtëzakonshëm

Të planifikuara në buxhetin e vitit 2018 janë edhe ndërtimet e stadiumeve në qytetet: Pejë, Kaçanik, Zhur të Prizrenit, stadiumi ndihmës në Prizren, ndërtimi i Sallës së Edukatës Fizike në Shkollën ‘Hysni Zajmi’ në Vrellë të Istogut, renovimi i stadiumit të futbollit në Komunën e Rahovecit, rregullimi i stadiumit te futbollit në Ratkoc të Rahovecit, ndërtimi i tribunave, rrethojës dhe shtrimi i zhavorrit në stadiumin e futbollit ne Runik dhe rregullimi i stadiumit të qytetit në Kamenicë.

Gjithashtu planifikohen të ndërtohen edhe pishina olimpike në Prizren në vlerë prej 500 mijë eurove dhe 200 mijë euro do të jepen për stadiumin e qytetit në Lipjan.

Stadiumet në fshatin Novosellë të Pejës dhe stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren në vlerë prej 800 mijë eurove, kompleksi sportiv “11 Marsi” në Prizren në vlerë prej 200 mijë eurove dhe kompleksi sportiv në Nashec në vlerë prej 200 mijë eurove, po ashtu janë projekte që do të fillojnë në vitin 2018 me mjetet nga AKP-ja.