Kandidatet e PDK-së për qeverisje lokale, shembull i guximit dhe vizionit politik

Jo pak është folur lidhur me përfaqësimin e gruas në institucione e në vendimmarje, gjegjësisht plotësimin e kuotës gjinore, për çka shumicën e herave ky proces ka ngelur brenda margjinave të programeve të partive politike, pa u implementuar praktikisht, e kjo për arsye nga më të ndryshmet, por më së shumti për shkak të rolit të disa burrave që mendojnë se janë të pamposhtur!

Partia Demokratike e Kosovës, ka treguar se duke e fuqizuar gruan, i jep rrugë edhe reformimit politik, ndertimit të një koncepti prosperues, të nevojshëm krahas zhvillimeve dhe domosdoshmërisë së ndryshimeve të reja për vendin. Kandidimi nga kjo parti i tri grave për kryetare në qeverisjen lokale, veç tjerash i dha vlerë konkurueshmërisë, programit politik dhe ideve për qeverisje.

Pavarësisht verdiktit qytetarë në këto zgjedhje, Sabiha Shala në Pejë, Gonxhe Çaushi në Mitrovicë Veriore dhe Valdete Idrizi në Mitrovicën e Jugut, u ballafaquan denjësisht me kundërkandidatët e tyre, me ata burra që nëpër debate, herë skuqeshin e herë flisnin me arrogancë, duke dashur të tregojnë fuqinë e tyre! Ato arritën të shpalosin program konkret për ekonominë, rininë e kulturën, e mbi të gjitha i dhanë vlerë debatit politik dhe konceptit për ndryshim.
Zaten të tria dhanë shembull se lufta e shumë grave për përfaqësim nuk po bëhet vetëm sa për plotësim të kuotës gjinore, porse roli i tyre është jashtëzakonisht i rëndësishëm në shoqërinë tonë, se gruaja përçon mesazhin e bërjes së politikës në interes të qytetarëve, që mund të shtyjë proceset përpara dhe të japë ide vizionare.

Lexo edhe:  Ngecja në rinovim të politikës dhe qytetari revolucionar

Valdete Idrizi, kandidatja e PDK-së për Mitrovicë, ende është në garë për të marrë timonin e qeverisjes në këtë komunë, ndërsa qytetarët presin fitoren e saj në Mitrovicë. Fitorja e Idrizit, veçmas mbështetja që po merr nga qytetarët atje, janë tregues se ajo po ia del të triumfojë përballë injorancës, keqeverisjes dhe padijes politike, me të cilën është qeverisur ajo komunë për katër vite.

Kundërkandidati i saj Agim Bahtiri, nëpër debate po humbet torruan përballë Valdete Idrizit dhe vështirë është duke pranuar humbjen nga një femër, pa e kuptuar se vlera e konkurencës matet me dije menagjeriale e politike.

Partia Demokratike e Kosovës në një mënyrë, vetëm e ka vazhduar traditën e saj të përfaqësimit të gruas, sepse që nga themelimi i insitucioneve, PDK ka pasur dhe vazhdon të ketë në përbërjen e saj gra të zonja, si deputete, ministre e ambasadore siç është Vlora Çitaku, pa permendur një nga një numrin e grave intelektuale në parlamentin e Kosovës që kishte dhe ka PDK-ja, e që u dhanë shtysë proceseve të rëndësishme në vend.

Me kandidimin e tri femrave për kryetare të komunës, PDK jo vetëm që u hapi rrugë procesit reformues, por edhe frymëzoi shumë gra të tjera që kanë ambicie për karrierë politike por edhe biznes./Shkruan: Arba Mirena

(Autorja është zëdhënese e Degës së PDK-së në Obiliq)