Ahmet Pllana: Obiliqi ka nevojë për ndryshime rrënjësore në përmirësimin e jetës së qytetarëve

Kandidati për asambleist në Komunën e Obiliqit nga radhët e AKR-së, Ahmet Pllana, në një intervistë për “Lajm” ka thënë se Obiliqi ka nevojë për ndryshime rrënjësore në përmirësimin e gjendjes në të cilën gjindet kjo komunë, si pasojë e qeverisjes jo adekuate në përmirësimin e gjendjes së jetës së qytetarëve, në rritjen e papunësisë, keqësimin e jetës sociale, punësimin e militantëve të subjektit në pushtet, etj. Qytetari tanimë është vetëdiojësuar dhe e di se kujt duhet dhënë vota. Nisur nga ky fakt, shpresoj se pushtetin në komunë do ta marrë subjekti politik AKR. Nëse arrij të marrë votat e nevojshme dhe të bëhem asambleist, do të jap kontributin tim maksimal në ndryshimin e gjendjes në komunë në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Lajm: Jeni kandiduar për asambleist në Komunën e Obiliqit nga radhët e AKR-së. Si e keni pritur këtë kandidim dhe a ke qenë i gatshëm që të bëhesh asambleist?

Ahmet Pllana: Kandidimin për asambleist në Komunën e Obiliqit e kam pritur shumë mirë dhe me një entuziazëm të veçantë, për arsye se po qe se i fitoj votat dhe bëhem asambleistë do të jap kontributin tim maksimal për të ndryshuar gjendjen në komunën e Obiliqit për të mirë dhe për të mirën e qytetarëve në çdo aspekt të jetës së tyre.

Lajm: Sa jeni i përgatitur që të bëheni asambleist i Komunës së Obiliqit në këtë kohë kur konkurrenca për asambleistë është tejet e lartë, duke marrë parasysh se shumë subjekte në listat e tyre kanë sjellë shumë kandidatë për asambleistë?

Ahmet Pllana: Jam i përgatitur shumë, sepse edhe më heret synimi im ka qenë që të bëhesha asambleist me qëllim që të jap kontributin tim në asamblenë komunale për të ndryshuar gjendjen në të mirë të qytetarëve. Në qeverisjen e kaluar ka pas disa të arritura në infrastrukturë, si në shtruarjen e trotuareve me katror, instalimin e dritave nëpër rrugët e disa fshatrave, si në Mazgit, Bakshi, Dardhishtë, etj., mirëpo ka shumë ngecje në zhvillimin ekonomik dhe social, si dhe në arsim, shëndetësi, trafik, nuk ka parkingje, nuk ka stacione të rregulluara të autobusëve, nuk ka pastërti në qytet, nuk ka asnjë projekt i realizuar në mbrojtjen e mjedisit, etj. Kastrioti është qyteti, përkatësisht komuna me mjedisin më të ndotur në vend. Ne sipas programit hapim 5 fabrika në 5 fshatra, zhvillojmë bizneset e vogla dhe të mesme, hapim vende të reja të punës dhe përmirësojmë jetën sociale të qytetarëve.

Lajm: Ju me profesion jeni gazetar. A e ke menduar ndonjëherë veten në politikë dhe se do të merresh me politikë?

Ahmet Pllana: Jo, asnjëherë nuk e kam menduar se do të merrem me politikë dhe se do të kyçem drejtpërdrejt në politikë. Kjo ka ndodhur rastësisht, kur disa kolegë të subjektit politik AKR, Dega në Obiliq, në qershor të vitit 2016 më ftuan t’i bashkangjitesha subjektit politik Aleanca Kosova e Re (AKR), duke më premtuar se do të kem përkrahje maksimale, se do të bëhem kandidat për kryetar të komunës, se do të bëhem asambleist. Unë pranova ftesën me kënaqësi, duke konsideruar se do të jepja kontributin tim maksimal në të mirë të gjendjes në komunë dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Lajm: Cili do të ishte kontributi yt konkret në zhvillimin ekonomik dhe social të komunës dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve?

Ahmet Pllana: Kontributi im konkret është realizimi i Programit Zhvillimor për Komunën e Obiliqit, i cili program është hartuar nga vet subjekti AKR. Ky Program synon zhvillimin ekonomik dhe social në Komunën e Obiliqit, zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, punësimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në focus të këtij programi është hapja e 5 fabrikave prodhuese në 5 fshatra të komunës së Obiliqit.

Lajm: A ke përgatitur ndonjë program konkret në këtë drejtim?

Lexo edhe:  Ramiz Lladrovci: Ferronikeli është shtylla kurrizore e industrisë në Drenicë

Ahmet Pllana: Po. Programi konkret ekziston. Ky Program konkret parasheh hapjen e 5 fabrikave në 5 fshatra të komunës së Obiliqit, sikurse në Muzakaj, Sibofc, Bajmofc, Mazgit dhe Bakshi. Në Muzakaj parashihet të bëhen investime në hapjen e një fabrike për përpunimin e pemëve, në Bajmofc hapja e një fabrike për përpunimin e perimeve, në Sibofc hapja e një fabrike për prodhimin e produkteve të qumështit, sikurse jogurtit, kosit, djathit, etj., si dhe hapja e një pike për grumbullimin e qumështit. Ndërkaq, në Mazgit parashihet hapja e një fabrike për prodhimin e produkteve të ndryshme nga plastika. Në Bakshi parashihet hapja e një fabrike për paketim të produkteve, duke filluar nga sheqeri, kafja, etj.

Lajm: Sa e njihni gjendjen aktuale në të cilën gjindet Komuna e Obiliqit?

Ahmet Pllana: Gjendjen aktuale në të cilën gjindet komuna e Kastriotit, përkatësisht Obiliqit, e njoh shumë mirë, sepse jam banor i kësaj komune. Gjendja ekonomike dhe sociale është tejet e vështirë dhe pa përmirësime për sa e sa vite me radhë. Ka papunësi dhe familje me gjendje të rëndë sociale, ka ambient të ndotur dhe shumë vështirësi të tjera me të cilat për çdo ditë ballafaqohen qytetarët e Obiliqit me rrethinë.

Lajm: A mendoni se mund të jepni kontribut të duhur si asambleist në Komunë për komunën, sidomos në ndryshimin e gjendjes në të mirë të qytetarëve?

Ahmet Pllana: Po. Patjetër mendoj se mund të jap kontributin tim të duhur. Mirëpo, pres që qytetarët të më japin votat e tyre dhe unë këtë do t’ua kthej në të mirë të tyre, duke ndryshuar gjendjen e vështirë sociale dhe ekonomike në të cilën gjindet komuna e Obiliqit.

Lajm: A keni ndonjë plan konkret edhe në përmirësimin e gjendjes në infrastrukturë, në shëndetësi, në arsim, kulturë, sport dhe rini?

Ahmet Pllana: Po. AKR-ja, Dega në Obiliq ka një plan konkret dhe shumë të realizueshëm në zhvillimin e komunës qoftë në infrastrukturë, në shëndetësi, ku do të hapnim ambulanca të reja në ato fshatra ku nuk ka fare ambulancë. Pastaj edhe në arsim do të përmirësonim gjendjen, do të ngrisnim cilësinë në mësim, do të hapnim kabinetet e nevojshme, sallat me kompjuterë, sallat e edukatës fizike, laboratorët, etj. Do të eliminonim nepotizmin në arsim. Ndërkaq, sa i përket kulturës, rinisë dhe sportit do të bënim ndryshime rrënjësore. Kultura në komunën e Obiliqit ka mundësi të zhvillohet më shumë me programe e projekte të larmishme. Do të ndërronim kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” , i cili qe 20 vite nuk është ndërruar.

Lajm: Cili subjekt politik mendoni se do të fitojë në komunën Tuaj?

Ahmet Pllana: Mendoj se në Komunënn e Obiliqit do të fitojë subjekti politik AKR, sepse ka Program dhe plan konkret për zhvillimin e Komunës, me ide e propozime të reja, të cilat janë në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve. AKR-ja mendon që nëse vjen në pushtet menjëherë të bëj një Memorandum Bashkëpunimi me KEK-un dhe nga ky bashkëpunim të realizojë programin e saj që ka të bëj me përmirësimin e gjendjes së familjeve me gjendje të rëndë sociale: një familje, një të punësuar!

Lajm: A keni ndonjë porosi apo mesazh për qytetarët, meqë tani kanë mbetur edhe pak ditë deri në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor 2017?

Ahmet Pllana: Mesazhi im është ky: Qytetarë të nderuar, dilni votoni, sepse është detyrë qytetare, patriotike, kombëtare dhe shtetërore! Mos e humbisni votën tuaj të shenjtë! Qytetarë të nderuar të Komunës së Obiliqit, ju e dini më së miri se kujt ia jepni votën! Epjani votën më të mirit, më të merituarit, atij që punon për interesa të qytetarit dhe jo për interesa të veta personale! Voto 34 nr. 4 !/Majlinda Bekteshi