Arrestohet personi që tentoi t’i vrasë sot tre policë në Prishtinë!

Në orët e mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës ka arrestuar A. Sogojeva i cili dyshohet të ketë tentuar t’i vrasë tre zyrtarë policor në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” zyra për media e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës. Sipas tyre në të njëjtën kohë kur i dyshuari ka goditur zyrtarët policior, është aksidentuar edhe automjeti policor duke i shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

“Zyrtarët policor duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbenin një kërcënim të drejtpërdrejtë, potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme“, thuhet në njoftim.

I arrestuari sipas policisë ishte zënë në flagrancë duke tentuar të kryej një vjedhje në rrugën “Idriz Gjilani” në po në këtë lagje.

“Sot rreth orës 03:00, policia ka marrë informacionin për një rast vjedhjeje në progres në rrugën “Idriz Gjilani” në lagjen Dardania, në Prishtinë.

Me të marr informacionin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në gjendje flagrante ka hasur në personin e dyshuar, i cili në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor me shpejtësi është futur në automjetin Golf V ngjyrë e zezë, dhe në ikje e sipër nga vendi i ngjarjes i njëjti me automjetin në fjalë ka goditur tre zyrtarët policor që kanë qenë në vendngjarje duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet më tej në njoftim.

Lexo edhe:  Këtë vit dita e Kurban Bajramit është e veçantë, mësoni pse

Me këtë rast i dyshuari A. Sogojeva, mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka marrë lëndimetrupore për çfarë i është ofruar ndihma mjekësore në QKUK, dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Zyrtarët policor të lënduar në këtë rast, kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe përkundër lëndimeve të shumta janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.

Ndaj të dyshuarit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh.

Përveç operacionit të bastisjes i ndërmarrë sot përkitazi me rastin, policia në koordinim me prokurorin e shtetit dhe mekanizmat e tjerë përkatës po kryejnë edhe veprimet e tjera të nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë ngjarje.