Aviokompania Germania lanson linjën Prishtinë – Kopenhagë

Në fund të marsit 2018, aviokompania e pavarur gjermane, Germania, do të hapë një linjë të re midis Kopenhagen dhe Prishtinës. Aeroplanët e gjelbërt me të bardhë do të fluturojnë mes dy qyteteve çdo të premte. Linja do të operohet në bashkëpunim të ngushtë me partnerin e saj të kahmotshëm, Air Prishtina, në fluturimet për në Kosovë dhe anasjelltas.

“Ne jemi duke bashkëpunuar me Germania që nga viti 2012. Kemi filluar me linjat nga Prishtina për në destinacionet si Düsseldorf, München dhe Basel-Mulhouse”, thotë Leyla Ibrahimi, drejtoreshë Ekzekutive e Air Prishtina. “Linja jonë e re midis Prishtinës dhe Kopenhagen nënvizon përpjekjet tona për të ngritur më tej një rrjet linjash që përshtatet me nevojat e klientëve tanë”, raporton Lajm.

“Bisedimet tona me Air Prishtina dhe Aeroportin e Kopenhagen për hapjen e një linje drejt Prishtinës kanë filluar prej kohësh,” komenton Claus Altenburg, drejtor i shitjes në aviokompaninë Germania.

“Ne u dakorduam që kjo pranverë do të ishte koha e përkryer për ta lansuar atë”. Germania së fundi ka bërë te ditur se do të lansojë fluturime midis Prishtinës dhe Parisit, të cilat gjithashtu do të fillojnë në mars.

Lexo edhe:  Mungesa e bordit mund ta falimentojë Trepçën

Përveç biletave me çmime të përballueshme si dhe nivelit të lartë të besueshmërisë dhe cilësisë, Germania gjithashtu ofron një eksperiencë të këndshme udhëtimi: kabinat karakterizohen me ulëse të rehatshme dhe ndriçim inovativ të ambientit. Për më tepër, çdo pasagjeri i lejohet bagazhi prej 20 kg dhe bagazh dore 6 kg./Lajm