Bayerni e nis mbarë vitin, mposht 1-3 Leverkusenin në “BayArena”

Bayerni i Mynihut e nis fazën e dytë të Bundesligës ashtu siç mbylli të parën, duke sigluar fitoren e radhës në premierën e vitin 2018. Kampionët në fuqi të Gjermanisë mposhtën 1-3 në transfertë Bayer Leverkusenin, duke e çuar në 14 pikë diferencën me Schalken e vendit të dytë.

Bavarezët dominuan në lojë në pjesën e parë duke iu afruar disa herë golit me Ribery (4’) dhe James Rodriguez (26’), por rezultati do të zhbllokohej në minutën e 32-të nga spanjolli Javi Martinez, pasi topi mbeti në zonë në zhvillimet e një këndoreje.

Franck Ribery përmbylli me gol një kundërsulm të shpejtë të bavarezëve në minutën e 59-të, duke dhënë përshtypjen e një fitoreje të lehtë për Bayernin.

Gjithsesi “aspirinat” arritën të hapnin ndeshjen me Volland në të 71-ën, i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtjes.

Goli që vulsoi fitoren 1-3 të skuadrës së Heynckess u realizua nga James Rodriguez nëpërmjet ekzekutimit mjeshtëror të një goditjeje të lirë.

Nuk pati më kohë për Leverkusenin për të ndryshuar fatin e kësaj ndeshjeje, me Bayernin që kalon një tjetër pengesë të rëndësishme në rrugën drejt titullit kampion të radhës.

Lexo edhe:  Strakosha nuk po e mendon zëvendësimin e Buffonit te Juventusi