Blerim Reka: Pas gjashtë muajsh liberalizohen vizat nëse miratohet demarkacioni

Edhe zyrtarët e BE’së e kanë pranuar se Ballkani është ndarë në pjesën pro ruse dhe atë pro Perëndimit. Kosova duhet ta shfrytëzojë frymën dhe të luftojë korrupsionin dhe ratifikojë demarkacionin për t’iu bashkuar pakos anëtarësuese në BE. Edhe nëse tash plotësohen të gjitha kriteret, liberalizimi mund të ndodhë tek pas gjashtë muajsh. Kjo çështje nuk bën të shtyhet më shumë, për shkak se BE shkon në zgjedhje për Parlamentin Europian. Për Express flet profesori i së drejtës europiane, Blerim Reka.

Cilët janë hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për liberalizim të vizave nëse javën e ardhshme e ratifikon demarkacionin me Malin e Zi?

Blerim Reka: Regjimi i vizave i BE është njëra nga politikat më kushtëzuese nga shtylla e dytë: JHA (“Drejtësia dhe Punët e Brendshme”). Shtetet e para të Ballkanit, fituan regjimin e lirë të qarkullimit- që para dhjetë vitesh; ndërkaq Kosova mbeti getoja e vetmuar e Shengenit. Faji është i dy-anshëm. Në njërën anë: BE, duke qenë peng i doktrinës së saj të “neutralitetit ndaj statusit”, eksperimentoi një dekadë në raportet me Kosovën- shkaku i “5- jo”-ve dhe si pasojë e la Kosovën jashtë procesit liberalizues. Nga ana tjetër, Kosova, plotësonte gjitha kushtet teknike por jo edhe krye-kushtin- luftën kundër korrupsionit. Jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë vlejnë 4 blloqe kriteresh: siguria e dokumenteve të udhëtimit (biometrik); imigracioni ilegal, (azili, emigrimi, menaxhimi i kufijve); marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat e njeriut; dhe rendi publik dhe siguria, (sundimi i ligjit, zbatimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupcionit). Me sa kam njohuri, për Kosovën ka mbet vetëm blloku i fundit, me theks të veçantë te korrupsioni dhe krimi i organizuar. Dhe ky është kusht i brendshëm- standard, që duhet plotësuar; jo për Brukselin, por për vete dhe për fëmijët dhe të ardhmen e Kosovës. Shembulli i Singaporit është mjaft ilustrativ: pasi që arrestoi 420 zyrtarë të lartë shtetërorë para 23 vitesh, sot ky vend ka vetëm 1% papunësi. Pra ajo që i nevojitet jo vetëm Kosovës por përgjithësisht Ballkanit është një tranzicion post- korruptiv. Demarkacioni, ndërkaq mbetet kushti politik- i cili nuk iu kërkua asnjë shteti tjetër. Bile do e quaja kushti gjeo-politik, i cili don që të rrumbullakësojë një gjeo-strategji rajonale kundër lojtarëve jo-euroatlantik. E kuptoj se nuk është lehtë falja e tokës, por po aq nuk do të jetë i lehtë edhe flijimi i ardhmërisë gjeopolitike të Kosovës. Fundja me demarkacionin e kufirit Kosova përmbyll sovranitetin e vet të jashtëm: me një shtet anëtar të NATO-s, (Malin e Zi), krahas demarkacionit të mëhershëm me një shtet të ri anëtar në vitin 2018 (Maqedoninë) dhe kufijve të sigurt të Kosovës me shtetin tjetër të NATO-s (Shqipërinë). Kështu Kosovës i mbetet e hapur vetëm vija kufitare me Serbinë.

Gjasat që të dështojë ratifikimi i demarkacionit janë të mëdha. Në një situatë të tillë a humbin të gjitha gjasat që të ketë shpejt liberalizim të vizave apo rruga mbetet e hapur për një proces të shpejtë?

Lexo edhe:  Haradinaj: Nuk pres mrekulli nga demarkacioni

Blerim Reka: Është vendim i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili ka përgjegjësi jo vetëm aktuale por edhe historike se nga do ta drejtojë Kosovën. E dij se vendimi nuk është i lehtë, por politikanët janë pikërisht për këtë – për të marrë edhe vendime të vështira. Nuk duhet harruar as momentumin e volitshëm të para një muaji me ri-kthimin e frymës pozitive në BE për zgjerimin si proces, i cili tash e një dekadë ishte në gjendjen e status- quos. Siç e kam thënë jo një herë: zgjerimi i BE ishte dhe mbeti një proces gjeo-politik dhe jo vetëm teknik. Prandaj ishin anëtarësuar në vitin 2004, të gjitha shtetet ish komuniste për t’i tërhequr nga orbita ruse. Prandaj iu hoqën vizat Moldavisë dhe Ukrainës. Prandaj, së voni vetë Mogherini më në fund e pranoi se lënia e Ballkanit në vakuumin strategjik, mund të hapte rrugë për hyrjen në rajon të lojtarëve të tjerë. Ndërkaq Hann, javën e kaluar- pas 15 vitesh- riaktualizoi sërish zgjerimin në pako të Ballkanit Përendimor, duke parë se ai tashmë është ndarë në dysh: në Ballkanin Kontinetal pro- Rusisë (Serbia dhe Republika Serpska); dhe Ballkanin Adriatik pro perëndimit (Shqipëria, Mali Zi, Maqedonia dhe Kosova). Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë frymë të re në BE, që padyshim po shtyhet fuqishëm nga SHBA dhe t’i tejkalojë dobësitë e brendshme (korrupsionin) dhe atë të jashtme (demarkacionin), për t’iu bashkuar kësaj pakoje anëtarësuese.

Proceduralisht, sa kohë i duhen Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe Këshillit Europian për të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën?

Blerim Reka: Varësisht nga shteti, procedura mund të zgjasë së paku 6 muaj dhe atë: nga Komisioni Europian, (i cili nëse konstaton përmbushjen e kritereve nga “road map”), lëshon raportin përfundimtar- me rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave. Bazuar në këtë raport, pastaj Këshilli, pasi të merr mendimin këshillëdhënës nga Parlamenti Europian, merr vendimin përfundimtar duke zhvendos Kosovën nga e ashtuquajtura “lista e zezë” në “listën e bardhë” të shteteve- pa viza.

Në vitin 2019 janë zgjedhjet në Parlamentin Europian. Sa ka rrezik që nëse nuk kryhet liberalizimi i vizave të ketë shtyrje të reja për shkak të zgjedhjeve në BE?

Blerim Reka: Siç e thash jo vetëm për shkak të zgjedhjeve për PE në vitin 2019, por para se gjithash sepse duhet shfrytëzuar maksimalisht klimën më pozitive që po shpaloset tash e një muaj në Bruksel. Sigurisht që nga gjysma e dytë e vitit tjetër, kur zyrtarët europianë hyjnë në gjashtë mujorin e fundit të mandatit të tyre dhe në prag të zgjedhjeve të reja europiane, do të kenë pak kohë e aq më pak interes të merren me liberalizimin e vizave të një shteti në Ballkan, kur para vetes do kenë sfidat globale si: Rusia, përplasjen energjetike lindje- perëndim, depërtimin ekonomik të Kinës.