Bullgaria do të punojë për t’i hequr roaming-un Ballkanit

Ambasadori i Bullgarisë në Bashkimin Evropian tha se do të punojë për të zvogëluar tarifat e roaming-ut të telefonisë mobile midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë anëtare të bllokut.

Dimitar Tzantchev, vendi i të cilit mban presidencën aktuale të BE-së, i bëri këto komente në Bruksel.

“Ekonomia evropiane tani është në rrugë të mbarë. Ky është shans për të gjithë ne që t’i sigurojmë partnerët e Ballkanit Perëndimor se perspektiva e tyre evropiane është reale”, tha Tzantchev.

“Ne besojmë se përmirësimi i lidhjeve do të ndihmojë zhvillimin e përgjithshëm të rajonit të Ballkanit. Me këtë, kam parasysh lidhjet në transport, energji, telekom dhe në arsim”, tha Tzantchev.

Bashkimi Evropian ka hequr tarifat e roaming-ut brenda 28 vendeve anëtare në vitin 2017.

Tani do të punohet për të ulur tarifat midis shteteve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, me synim që ato të eliminohen plotësisht në të ardhmen.

Lexo edhe:  Voton Hillary Clinton

Bullgaria ka marrë kryesimin gjashtëmujor të BE-së më 1 janar. Ajo e ka vënë rajonin e Ballanit Perëndimor lart në agjendë.