Dhuna në Kretë mbi shqipen dhe heshtja në Tiranë

Kanë kaluar tashmë afro 17 vjet nga 7 marsi 2001 kur Dashmir Zaçe shkroi në dërrasën e bardhë në Selanik të Greqisë A, B, C… dhe Gjuha Shqipe në Greqi vazhdon të rritet e përhapet nga mësues vullnetarë, mësues që Dritëro Agolli i madh i letrave i ka quajtur “Rilindës të kohës sonë”, dhe asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e shtetit dhe në reagimin e shoqërisë civile në përkrahje të mësuesve dhe të Gjuhës shqipe në mërgatë. Shteti shqiptar, Ministria e Arsimit dhe Sporteve noton në të njëjtat ujëra të turbullta që kanë notuar Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe seria e tyre në këto vite mërgimi. Një ngjarje e rëndë në Kretë, në një kohë kur dy vendet fqinj shekullorë mundohen të gjejnë gjuhën e miqësisë dhe prosperitetit, dryni mbi derën e shkollës që gjuha shqipe të mos kalojë, një ngjarje fyese për komunitetin shqiptar në Greqi ndodhur të shtunën 3 shkurt 2018 kur ekstremistë të “Agimit të Artë” bllokuan një prej godinave ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve… më bëri që përjetimet t’i hedh në letër si një mesazh që çështja e madhe e mbijetesës së gjuhës së nënës në mërgimin grek, dhe më gjerë, të gjejë hapësirë ligjore e të hyjë në mes popujve si vaj mbi ingranazhet e orës që lëviz vetëm përpara. Dhe kjo ndodh në një kohë kur Kreta dhe Korça ende nuk i ka zbardhë e firmosur fletët e së ardhmes, midis të cilave edhe atë të gjuhës shqipe. Po përcjell një kronikë të ditës dhe një gjyq publik 8 vite të shkuara…

Një gëzim qytetar

( Përcjellë me zë e figurë nga disa stacione televizive greke)

Këto ditë në Hanja të Kretës, shkruan në facebook përfaqësuesi më i denjë i mërgatës shqiptare në Kretë, publicisti, gazetari, humanisti Luan Pacani, u zhvilluan dy aktivitete të një rëndësie të veçantë, një në qytezën Paljo Hora dhe tjetri në qytetin e Hanjasë, pikërisht në gjimnazin Elefterios Venizelios.

Mbas shumë përpjekjeve të vazhdueshme e këmbëngulëse të Komunitetit të Emigranteve Shqiptarë në Hanja, Kryesisë së këtij komuniteti me Kryetar Afrim Avdiaj u bë e mundur marrja e lejes dhe miratimi për hapjen e dy kurseve të mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë që punojnë e jetojnë këtu. Si nga prefektura, por dhe nga drejtoria arsimore e rrethit pati që në fillim një reagim pozitiv për këtë çështje dhe ndihmuan që mësimet e gjuhës shqipe të zhvilloheshin në gjimnazin ‘Elefterios Venizelios, ditët e shtuna dhe të diela kur shkollat janë të mbyllura për programin grek. Ceremonia dhe inaugurimi i këtyre kurseve u zhvillua në një klimë të kënaqshme ku merrnin pjesë dhe zëvendës Ambasadori Florian Nova, kryetari i Federatës së Emigrantëve Shqiptarë në Greqi Ermal Sulaj, Kryetarja e këshillit pedagogjik të mësuesve shqiptarë në Greqi, Anila Velaj Kila, (Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi A.A.) përfaqësues nga komuniteti shqiptar në Rethimno, Iraklio, Kasteli etj. por dhe përfaqësues të Prefekturës Hanja dhe Drejtorisë Arsimore, si dhe vete drejtori i gjimnazit Kosti Hatupis…

Lexo edhe:  Militarizmi i ushtrisë së Serbisë kërcënon paqen e brishtë në rajon

Reagimi i egër racist dhe ksenofob

Kur dukej se gjithçka shkoi në rregull dhe ëndrra e komunitetit shqiptar në Hanja po behej realitet me këtë ngjarje kaq të rëndësishme për ta dhe fëmijët e tyre, ditën e hënë në mëngjes, një pjesë jo e vogël nxënësish grekë të shoqëruar dhe nga prindërit e tyre i vunë kyçin derës së shkollës dhe nuk lejuan nxënësit e tjerë dhe personelin pedagogjik për të zhvilluar mësimin. Shkak për këtë u bë pikërisht hapja e kursit të gjuhës shqipe që do të zhvillohej në shkollën e tyre si dhe vendosja e flamurit shqiptar ngjitur me flamurin grek në oborrin e gjimnazit gjatë ceremonisë së inaugurimit. Këto reagime të ashpra vazhdojnë ende me kërkesën e vetme që kursi i gjuhës shqipe të mos zhvillohet në shkollën e tyre. Pavllos Murtzaqis, kryetari i shoqatës së prindërve dhe nxënësve të gjimnazit mbron me fanatizëm dhe shprehet me tone të ashpra që mësimi i gjuhës shqipe të mos zhvillohet këtu. “Ne nuk do t’i dërgojmë fëmijët në shkollë derisa të anulohet ky vendim“- tha ai.

Autoritetet mbrojnë shkollën shqipe

Tjetër mendim ka Drejtori i Arsimit të rrethit Stelios Zervaqis i cili ka qenë në krah të komunitetit shqiptar në Hanja për këtë problem: “Çdo gjë është bërë konform rregullave dhe këtu s’ka asnjë shkelje. Ne kemi dhënë leje dhe për komunitetin rus e të tjerë që të mësojnë gjuhën amtare. Edhe për ata dhamë një klasë në shkollë publike, por s’pati kundërshtime të tilla si për shqiptarët. Problemi është i yni dhe jo i shqiptarëve dhe kjo nuk na nderon”- tha ai. Drejtori i gjimnazit Kosta Hatupis theksoi se “Nuk shikoj asgjë të keqe që në një ceremoni përurimi të vendoset flamuri grek dhe ai shqiptar së bashku, ky është nder, respekt por dhe detyrim sepse në ceremoni merrnin pjesë dhe përfaqësues të trupit diplomatik shqiptar të akredituar në Greqi”

Gjyqi i gjuhës shqipe në Athinë

(Drejtpërdrejt nga Salla, 22 janar 2010)

Ngjarja në Kretë e disa ditëve më parë “thyerja e drynit” në një shkollë greke që shqipja mos të ulet në bankën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe më kthyen përsëri “tetë orë në këmbë” në një nga sallat e korpusit “Evelpidhon” ku janë tubuar gjykatat dhe gjyqet e Athinës. Më kthyen me pyetjen: “Çfarë është bërë dhe si është shfrytëzuar nga ne vendimi i gjykatës që shpalli të pafajshme drejtoreshën e Shkollës së Gravës Protonotario dhe mësuesen shqiptare Karkallo, çka do të thotë hapësirë ligjore për zhvillimin e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe në klasat e shkollave greke”? Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke futur brenda edhe vetën time si gazetar, edhe kolegët e mi gazetarë në Greqi, edhe median e shkruar dhe pamore në Shqipëri që pak (për mos me thënë aspak) i kanë mëshuar problemit të legalizimit të mësimit të Gjuhës Shqipe në Greqi e më gjerë./Nga: Abdurahim Ashiku