Dieta Mesdhetare, dieta e shëndetit, ju mbron nga sëmundjet

Ushqimet që përbëjnë dietën mesdhetare ofrojnë fitokimikate si polifenolet (kryesisht vaji i ullirit dhe vera e kuqe), të cilat ndërveprojnë me qelizat e dëmtuara duke i bërë ato të jenë më të afta në veteliminim, si dhe nëpërmjet një sërë mekanizmash të tjerë, arrijnë të ruajnë integritetin e qelizave të shëndosha dhe të mbrojnë ADN-në nga dëmtimet fatale.

Dieta mesdhetare është marrë në mbrojtje nga UNESCO si trashëgimi kulturore, që prej vitit 2010, si pasojë e shumë të dhënave që vërtetojnë vetitë e saj të dobishme për shëndetin e njeriut. Për herë të parë, ajo është vënë në vëmendje në mes të shekullit të 19-të pas një studimi të 7 vendeve, i cili tregoi se, popujt në Danimarkë dhe Greqi konsumonin të njëjtën sasi (të lartë) yndyrë, por danezet kishin shfaqjen më të lartë të sëmundjeve të zemrës ndërsa grekët atë më të ulëtën. Kjo veçori evidentoi faktin se cilësia e yndyrës është më e rëndësishme se sasia e saj, që konsumohet në dietë. Meritat, natyrisht i mori vaji i ullirit, që më pas u kthye në simbol të dietës mesdhetare dhe jetëgjatësisë që ajo premton.

Zemra

Dieta Mesdhetare forcon shëndetin e zemrës. Studimet kanë treguar se përmbajtja e lartë e dietës mesdhetare në yndyra esenciale dhe në vaj ulliri, të kombinuara me fitokimikatet e frutave, perimeve, fasuleve dhe drithërave të papërpunuar, ul kolesterolin e keq, rrit kolestorolin e mirë dhe ul inflamacionin që vë në rrezik arteriet.

Sëmundjet

Dieta mesdhetare mbron nga kanceri. Një ndër shkaqet e zhvillimit të veprimtarisë kancerogjene në organizëm është inflamacioni i heshtur, i cili zhvillohet si pasojë e kequshqyerjes, ndotjes ambientale që depërton edhe në ushqim, faktorit stres etj. Ushqimet që përbëjnë dietën mesdhetare ofrojnë fitokimikate si polifenolet (kryesisht vaji i ullirit dhe vera e kuqe), të cilat ndërveprojnë me qelizat e dëmtuara duke i bërë ato të jenë më të afta në veteliminim, si dhe nëpërmjet një sërë mekanizmash të tjerë, arrijnë të ruajnë integritetin e qelizave të shëndosha dhe të mbrojnë ADN-në nga dëmtimet fatale.

Mbipeshë-diabet

Dieta Mesdhetare parandalon mbipeshën dhe diabetin. Inflamacioni i kombinuar me mbipeshën janë gjithashtu ndër shkaqet e shfaqjes së diabetit të tipit 2. Dieta Mesdhetare është ndër dietat më të dobishme në rrëzimin e shëndetshëm të mbipeshës dhe në ruajtjen e një peshë trupore optimale. Përbërja e veçantë në acide lyrore parandalon shtimin e dhjamit sidomos në zonën qendrore (rreth barkut). Ndërsa përmbajtja e lartë në fibra bimore përbën një ndër armët më të mira në kontrollin e sheqerit në gjak.

Lexo edhe:  Qyteti misterioz që frymëzon shkrimtarët

Dietat

Dieta Mesdhetare rezulton më e shëndetshme se Dieta Vegjetariane. Studimet që kanë krahasuar impaktin e të dyja dietave në parametrat metabolikë dhe fiziologjikë të dy popullatave nën testim, kanë treguar se, për sa i përket rënies në peshë dhe rrezikut arterosklerotik, dieta mesdhetare ishte më efikase. Avantazhi i saj qëndron në cilësinë e yndyrave dhe në përbërjen e saj më të ekuilibruar në minerale.

Dieta Mesdhetare përmban:

Çdo ditë fruta (sidomos rrush dhe fiq), dhe perime të stinës (me bazë ngjyrën jeshile), sa më pak të përpunuara;

Çdo ditë drithëra integrale të ndryshme (grurë, misër, oriz, bullgur, hikerror, tërshërë, elb); fasule të llojeve të ndryshme (thjerrëza, qiqra, fasule me ngjyra);

2-3 herë në javë peshk dhe prodhime deti; fruta të thatë dhe fara (arra, bajame, susam, fara kungulli, lini, luledielli); erëza si rigoni, rozmarina, sherebela, menta, trumza etj.;

Disa herë në javë, sasi të kufizuara mishi shpendësh, bulmet të yndyrshëm, vezë;

Pak herë në muaj: mish të kuq dhe ëmbëlsira;

Në gatim përdoret vetëm vaji i ullirit i përpunuar në të ftohtë dhe shumë pak gjalpi i bagëtisë;

Tipare të rëndësishme të dietës mesdhetare janë edhe konsumi i moderuar i verës së kuqe, konsumi i çajrave bimore si çaji i malit dhe hidratimi i mjaftueshëm me ujë natyral;

Dieta mesdhetare është një koncept që shkon përtej ushqimit, është një mënyrë jetese që ka në fokus aktivitetin social (shijimin e ushqimit dhe praktikave të gatimit me njëri-tjetrin), angazhimin fizik në sigurimin e ushqimit, përpunimin artizanal dhe jo industrial të tij, ekspozimin në diell dhe mbi të gjitha “gjithçka me masë”.