Drita Cacaj: “Do të jem zëri i shqiptarëve në Parlamentin austriak”

Drita Cacaj është shqiptarja e vetme që garon për deputete në Parlamentin Austriak, në zgjedhjet që do të mbahen më 15 tetor. Ajo është kandidate në listën e Partisë Popullore të Austrisë, OVP, që udhëhiqet aktualisht nga ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz. Me përvojën e saj mbi 10-vjeçare në politikën austriake, ajo beson se do të dalë fituese e kësaj gare.

Në një intervistë të dhënë për albinfo.ch, Drita Cacaj kërkon mbështetjen e të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote. Ajo premton se do të mbrojë të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Austri, integrimin e përgjithshëm të tyre, e në veçanti të femrës shqiptare.

Zonja Cacaj, ju jeni aktiviste prej shumë vjetësh e Partisë Popullore të Austrisë, OVP. Pse e keni zgjedhur këtë parti?

Është e vërtetë që jam aktiviste dhe kontribuese shumëvjeçare e kësaj partie. Përcaktimi im ka qenë programi i saj dhe ngrohtësia që më kanë dhënë që në ditën e parë në këtë parti. Më kanë përkrahur dhe më kanë dhënë shumë hapësirë për të treguar aftësitë e mia politike, për çfarë edhe u jam shumë mirënjohëse.

Në zgjedhjet lokale nuk dolët aq e kënaqur me rezultatin dhe votat që morët. Pse provuat në zgjedhjet nacionale? Ishte besimi i partisë apo dëshira juaj për një sfidë tjetër, ndoshta edhe më të vështirë?

Në zgjedhjet lokale natyrisht se kam pritur më shumë, por megjithatë ka qenë një përvojë shumë e mirë për të kuptuar se si rrjedhin zgjedhjet. Sa i përket kandidimit tim për zgjedhjet nacionale, ishte besimi i partisë dhe puna ime në parti. Rezultatet e këtyre dy elementeve më dhanë mundësinë që të jem kandidate nga lista e Sabastian Kurz. Jam shumë sfiduese dhe besoj shumë në veten time.

A i keni filluar aktivitetet e fushatës zgjedhore?

Jemi në përgatitje për fushatë dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura në koordinim me bashkëpartiakët e mi.

Na thuaj në pika të shkurtra çfarë do të përfshini në aktivitetet tuaja gjatë fushatës parazgjedhore? Ku është e fokusuar fushata juaj?

Lexo edhe:  Avdullah Hoti: Për demarkacionin do të hapim dialog gjithpërfshirës brenda Kosovës

Aktivitetet do të jenë të shumta dhe të ndryshme. Kryesisht do të zhvilloj komunikimin me njerëz të ndryshëm në tërë territorin e Austrisë dhe do të fokusohem kryesisht në integrimin e popullatës shqiptare në të gjitha segmentet e jetës shtetërore në Austri, si në sferën arsimore, edukative – kulturore dhe në shumë sfera të tjera, deri në kyçjen e bashkatdhetarëve tanë në jetën politike. Si fokus të veçantë do të kem integrimin e femrës shqiptare me të gjitha të drejtat e barabarta, të cilat i ka përcaktuar shteti dhe ligji austriak.

A prisni vota vetëm nga shqiptarët me të drejtë vote, apo edhe nga vendësit, pra nga vetë austriakët?

Unë dua të besoj se është koha e fundit që të gjithë shqiptarët që kanë të drejtë vote të motivohen dhe të dalin në zgjedhje, sepse duhet ta kuptojnë se pjesëmarrja në zgjedhje është interes i tyre. Besoj që do të votohem nga shqiptarët e mi, por besoj që edhe nacionalitetet e tjera, e posaçërisht austriakët do të më votojnë, siç më kanë votuar edhe më parë.

Kryetari i partisë suaj, njëherësh ministër i Jashtëm dhe i Integrimeve, Sebastian Kurz, i cili është në garë për kryeministër, ka qenë mjaft kritik ndaj mbulesave të grave të besimit islam. Ditë më parë ai ka thënë se gratë shqiptare paguhen për t’u mbuluar. Cili është komenti juaj?

Mendoj se ai e di më së miri për atë çfarë ka thënë, unë nuk mund të komentoj deklaratën e tij.

Si mund t’ju mbështesin pjesëtarët e komunitetit shqiptar dhe të tjerët në këto zgjedhje?

Unë besoj dhe shpresoj se të gjithë shqiptarët me të drejtë vote do ta shfrytëzojnë këtë mundësi që të votojnë një kandidate shqiptare, e cila do të jetë zëri i fuqishëm dhe mbrojtësja e të drejtave të tyre në Parlamentin austriak.