E martë yjesh në Supersport, luhen Rusi – Spanjë, Gjermani – Francë dhe Angli – Brazil

Nëse Irlanda dhe Danimarka luajnë në mbrëmje për biletën e fundit europiane për Botërorin “Rusi 2018”, Supersport ofron për të apasionuarit e futbollit edhe tri miqësore “big”, me protagoniste 6 përfaqësuese të mëdha pjesëmarrëse në Kupën e Botës verës së ardhshme.

Në orën 19:45, në stadiumin “Krestovsky” të Shën Pjetërburgut, Rusia do të presë Spanjën në një sfidë mjaft interesante, që do t’u shërbejë të dy trajnerëve si provë gjenerale për Botërorin rus. Vetëm pak ditë më parë, Rusia u mposht minimalisht nga Argjentina, po në miqësore, me gol të Agueros, pak para mbylljes së kohës së rregullt, ndërsa Spanja shkatërroi 5-0 Kosta Rikën, që nuk mundi t’i bënte ballë presionit të “La Rojas”, skuadër që vazhdon të interpretojë një futboll tërheqës dhe efektiv.

Në orën 20:45, do të luhet një klasike e futbollit europian, Gjermani – Francë, që do të zhvillohet në “Rhein Energie Stadion” të Kolnit. “Pancerat” vijnë në këtë duel pas barazimit 0-0 me Anglinë, ndërsa “gjelat” katër ditë më parë mposhtën 2-0 Uellsin me gola të Griezmann dhe Giroud. Në përplasjen e fundit mes dy gjigantëve të futbollit europian, në gjysmëfinale të “Euro 2016”, skuadra e Deschamps fitoi 2-0, duke eliminuar favoriten e turneut, kështu që pëprlasja e radhës, edhe pse miqësore, i jep mudësi Gjermanisë të hakmerret për këtë humbje.

Lexo edhe:  Kampioni i Kosovës eliminohet i turpëruar nga “Championsi”

Takimi i fundit i mbrëmjes në ekranin e Supersport është Angli – Brazil, një tjetër ndeshje e madhe e futbollit botëror, që ndiqet me shumë interes, edhe psë bëhet fjalë për një miqësore. Ky takim do të luhet në “Wembley” dhe do të nisë në orën 21:00. Përfaqësuesja e “Tre Luanëve” në të njëjtin stadium dështoi të thyente Francën, ndërsa sonte do të ketë përballë Neymar me shokë, që pak ditë më parë mposhtën Japoninë në Lille të Francës me rezulatin 3-1./Supersport