Emergjencat e motit, humb jetën elektriçisti; mbyllen shkollat

Stuhia që përfshiu gjithë vendin shkaktoi viktimën e parë në Fier. Ai është 50-vjeçari Sabri Vriga, i cili është goditur nga rryma elektrike ndërsa po riparonte një defekt në fshatin Krujan.

Atij i ishte kërkuar që të rivendoste lidhjen elektrike. Kolegët e tij e dërguan me urgjencë në spital, por pa mundur ta shpëtojnë.

Ndërkohë, moti i keq dhe reshjet e shiut përmbyten akse nacionale.

Autostrada Tiranë-Durrës u bllokua pasdite për shkak se niveli i ujit shkoi deri në lartësinë e trafik-ndarëses. Për këtë arsye policia devijoi trafikun në rrugët dytësore. Shumë mjete mbeten të bllokuara në rrugë, ndërsa niveli i ujit po rritet.

Edhe rruga drejt aeroportit pati probleme me trafikun. Disa biznese në zonë janë përmbytur. Edhe në Tiranë ka probleme me banesat e ulta, ndërsa për shkak të shikueshmërisë së ulët ndodhi edhe një aksident në zonën e Unazës së Re në Tiranë, por fatmirësisht pa viktima.

Rruga e Kombit në zonën e Milotit është bllokuar për një kohë të gjatë dhe sipas drejtuesve të automjeteve që ndodhen atje ka ndodhur edhe një aksident me pasojë tre të lënduar.

Lexo edhe:  17 vjet nga konfrontimet e para të UÇPMB-së

Në Gjirokastër gjatë paradites pati probleme në zonat malore me rrëshkitjen e dherave dhe bllokimin e rrugëve. Në Shkodër, reshjet janë me intesitet më të ulët dhe vetëm në zonën e Anës së Malit ka probleme me përmbytjen e disa tokave.

Në Përmet banorët raportojnë një rritje të ndjeshme të nivelit të Vjosës. Reshjet në zonën e maleve të Pindit, ku ka burimin Vjosa janë në nivele shumë të larta, 80 milimetra për metër/katror, ndërsa ka shkrirë edhe dëbora. Kjo do të thotë se niveli i Vjosës gjatë së premtes do rritet ndjeshëm.

Në Fier ende nuk ka probleme, ndërsa janë duke u marrë masat për të përballuar vërshimin e ujrave në zonën e Vlorës, ku ka patur edhe disa evakuime nga zonat shumë pranë lumit.

Shtabet e emergjencës janë në gatishmëri, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe gjatë natës. Lumenjtë e mëdhenj po monitorohen.

Ministria e Arsimit urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave, kopshteve dhe çerdheve gjatë ditës së premte, ndërsa këshillohet që të shmangen udhëtimet edhe në zonat malore, ku rreziku vjen nga përrenjtë e vrullshëm./Top Channel