Facebook i mohon akuzat se është “anti-Trump”

Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, i hodhi poshtë komentet e bëra nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili tha se rrjeti social ka qenë gjithmonë kundër tij.

Presidenti, përmes një postimi në Twitter, e akuzoi Facebook-un për “fshehtësi” dhe e cilësoi atë “anti-Trump”.

Ai e bëri vlerësimin e njëjtë edhe për gazetat New York Times dhe Washington Post.

Facebook do të dorëzojë së shpejti mbi 3,000 reklama politike te hetuesit e kongresit, të cilët po hetojnë ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.

Facebook beson se reklamat mund të jenë blerë nga njësite ruse gjatë dhe pas garës presidenciale.

Duke iu përgjigjur kritikave të Trumpit, me një postim në Facebook, Zuckerberg mohoi se ka anuar dhe tha se ka bërë përpjekje të krijojë “një platformë për të gjitha idetë”.

Zuckerberg tha se edhe liberalët në SHBA e kanë akuzuar për krijimin e mundësive për fitoren e Trumpit në zgjedhje.

Ai premtoi se Facebook “do të vazhdojë të ndërtojë një komunitet për të gjithë njerëzit” dhe se “do të jetë kundër vendeve që bëjnë përpjekje të përhapin keqinformimin dhe të përmbysin zgjedhjet”.

Lexo edhe:  Shqiptari i ri sfidon zviceranët

Postimi i Zuckerbergut ka tërhequr 65,000 “pëlqime” vetëm brenda dy orëve të para.