Flynn dyshohet se ka bërë komplot për të dorëzuar Gulenin

Këshilltari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Robert Mueller, është duke hetuar një komplot të dyshuar, sipas të cilit, ish-këshilltari për siguri kombëtare, Michael Flynn, është dakorduar të dorëzojë një klerik të kërkuar mysliman në Turqi, në këmbim të një pagese prej 15 milionë dollarësh, raportojnë mediat amerikane.

The Wall Street Journal raportoi të premten se Flynn dhe djali i tij, Michael Flynn Jr., kanë diskutuar me përfaqësuesit turq mënyrat për dorëzimin e klerikut Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e një përpjekjeje për grushtshtet kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, korrikun e kaluar.

Flynn dyshohet se e ka diskutuar këtë komplot në një takim në Nju Jork, në dhjetor të 2016-ës, kur ai ka qenë anëtar, atëbotë, i ekipit të tranzicionit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Hetimi i këtij komploti të dyshuar është pjesë e hetimeve më të mëdha të Muellerit mbi kontaktet e dyshuara midis përfaqësuesve të Trumpit dhe agjentëve të Qeverisë ruse, gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 2016.

Lexo edhe:  Kryeministrja e Britanisë nënshkruan daljen e Britanisë nga BE-ja

Pasi Trump ka marrë detyrën, Flynn ka shërbyer si këshilltar i sigurisë kombëtare vetëm 24 ditë. Ai është detyruar të japë dorëheqje për keqinformim të zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, mbi kontaktet e tij me ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kislyak.

Sipas NBC-së, hetuesit e Muellerit po shqyrtojnë akuzat e mundshme për shpëlarje parash kundër Flynnit dhe djalit të tij, si dhe akuzat për mashtrim të agjentëve federalë.

Pas puçit të dështuar në Turqi, Ankaraja i ka bërë presion administratës së Barack Obamës për të dorëzuar Gulenin, i cili ka azil në SHBA, pa proces formal të ekstradimit.

Më 8 nëntor, Flynn ka publikuar një artikull në The Hill, ku e ka quajtur Gulenin “radikal islamik”.