Haradinaj: Kosova po punon vazhdimisht për plotësimin e të gjitha kushteve të vëna nga BE

Kryeministri Haradinaj ka thënë se rruga e integrimit evropian të Kosovës është paalternativë dhe për këtë Qeveria e Kosovës, është duke punuar vazhdimisht dhe me përkushtim të plotë në plotësimin e të gjitha kritereve të vëna nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm.

Kryeministri këto deklarata i ka bërë gjatë takimit me një delegacion të Bashkimit Evropian, të kryesuar nga Drejtori Gjeneral i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, dhe Drejtori Menaxhues për Evropë dhe Azi Qendrore në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), Thomas Mayr-Harting, me të cilët ka biseduar për situatën politike në vend, për rrugën e integrimit evropian dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Në konferencën e përbashkët pas takimit, kryeministri Haradinaj tha se temë kryesore e takimit ishte perspektiva evropiane e Kosovës, zbatimi i agjendës evropiane për Kosovën dhe synimet e Kosovës në këtë rrugë.

“Strategjia për Ballkanin Perëndimor e ka lënë rrugën hapur për Kosovën dhe e ka definuar këtë rrugë, por na mbetet shumë punë për të bërë”, tha kryeministri Haradinaj.

Lexo edhe:  "Koalicion, për vendime të mëdha"

Edhe përfaqësuesit e BE-së, Drejtorët Danielsson, dhe Mayr-Harting, theks të veçantë i kushtuan Strategjisë për Ballkanin Perëndimor, në të cilën përfshihet edhe Kosova. Të dy përfaqësuesit e BE-së, theksuan se kjo vizitë zhvillohet pas një jave të publikimit të Strategjisë për Ballkanin Perëndimor, e cila e qartëson perspektivën evropiane për të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën.