Infeksionet urinare: Nëse nuk trajtohen çojnë në infeksion të veshkës

Gjatë periudhës së dimrit janë të shpeshta rastet e cistiteve, uretriteve, prostatiteve. Arsyet kryesore pse ndodh riakutizimi apo shfaqja e këtyre problemeve gjatë kësaj stine lidhen me konsumimin më të pakët të lëngjeve në krahasim me stinën e verës, të ftohtin, virozat dhe infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Infeksionet e traktit urinar (ITU) janë nga sëmundjet më të zakonshme, që prekin të gjitha moshat, që nga i porsalinduri e deri te personat e moshës së tretë. ITU janë më të shpeshta të femrat sesa te meshkujt, për shkak të karakteristikave anatomike. Ndahen në infeksione të rrugëve të sipërme (pielonefriti) dhe infeksione të rrugëve të poshtme. Këtu bëjnë pjesë ato të fshikëzës së urinës (cistite), infeksionet e prostatës te burrat (prostatite), infeksionet e uretrës, kanalit të poshtëm të nxjerrjes së urinës (uretrite). Por dhe çdo temperaturë te fëmijët nga një virozë, angine, bronkit apo bronkopneumoni etj., që nuk trajtohet duhet të shqetësojë prindërit, që përveç analizës së gjakut, t’i bëjnë fëmijës dhe një analizë urine. Në rast se infeksioni përsëritet, duhet detyrimisht të gjendet shkaku dhe të mjekohet ai. Te fëmijët e vegjël shkaku kryesor i infeksionit urinar është refluksi veziko-ureteral (rikthimi i urinës mbrapsht, si një defekt i sfinkterit ureteral).

Rastet

Gjatë periudhës së dimrit janë të shpeshta rastet e cistiteve, uretriteve, prostatiteve. Arsyet kryesore pse ndodh riakutizimi apo shfaqja e këtyre problemeve gjatë kësaj stine lidhen me konsumimin më të pakët të lëngjeve në krahasim me stinën e verës, të ftohtin, virozat dhe infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. I ftohti ndikon në spazmat e shpeshta të muskulaturës së rrugëve të poshtme urinare, duke shtuar shpeshtësinë e urinimit. Ndërsa virozat e stinës, kur zgjasin shumë, në njerëz me rezistencë të ulët, kur nuk vlerësohen sa duhet e nuk mjekohen në kohën e duhur, dhe sidomos infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes-tonsilat, për shkak të streptokokut, stafilokokut etj., ndikojnë në shfaqjen e infeksioneve urinare.

Trajtimi

Trajtimi duhet të jetë korrekt, sepse nuk janë të rralla rastet e përsëritjes së cistitit. Kontakti me mjekun e familjes dhe atë nefrolog është i rëndësishëm pasi në mjaft raste shkak i kronicizimit të sëmundjes është mungesa e kontaktit me specialistin, neglizhimi i shenjave dhe mjekimi jokorrekt. Mjekimi bëhet sipas shkaktarit të përcaktuar me urokulturë (mbjellje të urinës). Mjeku i familjes apo ai nefrolog duhet të bëjnë vlerësimin e rastit, të përcaktojnë mjekimin dhe kohëzgjatjen e tij. Mjekimi pa kriter çon në kandidoze (myk), dëmtim të mëlçisë apo rezistencë mikrobiale.

Lexo edhe:  Pas Kroacisë, edhe Bosnja ballafaqohet me stuhi (Foto)

Parandalimi

Të konsumohen sa më shumë lëngje, e rekomandueshme 2-3 litra në ditë. Uji, i cili ka dhe veti antioksidante, të mos të pihet menjëherë, por pak nga pak. Po ashtu, tri herë në javë pini lëngje frutash të shtrydhura, si: lëng limoni, portokalli, pjeshke, rrushi, karote etj. Boronica e kuqe në formë çaji, lëngu, fruti, tabletash lufton infeksionet urinare. Që 50 vjet përpara dietologët kanë raportuar efekte antiinfeksioze të boronicës së kuqe nga prania në të e të paktën dy substancave që pengojnë ngjitjen e baktereve në rrugët urinare. Aloe vera lufton infeksionet. Për këtë bimë janë gjetur shkrime të ndryshme edhe nëpër papiruse, për të cilën thuhet se është shumë e dobishme dhe nga ajo janë prodhuar tableta të vogla kundër infeksioneve të ndryshme. Brokoli nuk gjendet shpesh në tryezat tona sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të. Megjithatë, është mirë që ta konsumojmë më shpesh sepse përveçse është shumë i ushqyeshëm brokoli përmban glukinolat, një përbërje bimore që shkatërron bakteret në fshikëzën e urinës. Rekomandohen 200 – 300 gramë brokoli në ditë të paktën 2-3 herë në javë. Gjithashtu, është i provuar dhe roli i vitaminës B6 për ITU. Vitamina B6 ndihmon në prodhimin e proteinave, çlirimin e glukozës etj. Të gjitha këto procese në trup janë të domosdoshme për rritje, formimin e gjakut dhe mbrojtje kundër infeksioneve. Në formë natyrale vitamina B6 gjendet te drithërat, banania, patatja, gjeli i detit, peshku, lajthia, arra, speci e perimet si lulelakra etj.