Janari nis me “Çadra 2” kundër qeverisë Rama

Protestat nuk janë e vetmja rrugë që opozita shqiptare do të ndërmarrë kundër qeverisë në nisje të janarit 2018.

Zgjedhjen e kryeprokurores Arta Marku vetëm me votat e mazhorancës, opozita pritet që ta dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Ish-deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani thotë në një intervistë për Politiko, se edhe kjo mundësi nuk është e sigurt pasi nuk ka garanci nga Gjykata e cila mund të jetë e kapur politikisht.

“Më duhet të theksoj se procedura e ndjekur për këtë rast ishte antikushtetuese, dhe nuk jep asnjë garanci për një drejtësi të pakapur politikisht. Ky, në fakt, është rast i përsëritur i rrugës antikushtetuese që mazhoranca parlamentare nisi me ligjet e Reformës në drejtësi, menjëherë pas miratimit unanim të Kushtetutës. Ankimimi në Gjykatën Kushtetuese është, sigurisht, një rrugë afër mendjes për zgjidhjen e situatës. Nuk mund ta fsheh se ka skepticizëm për imunitetin e Gjykatës Kushtetuese nga kapja politike. Nuk është e lehtë të gjesh zgjidhje ligjore në një sistem të kapur nga krimi dhe paratë e pamasa të drogës. Personalisht, jam në favor të ndjekjes së zgjidhjeve ligjore, sado pak shpresë të ketë mbetur për drejtësi. Megjithatë, do shkohet apo jo në Gjykatë Kushtetuese për këtë çështje është ende në diskutim dhe e pa vendosur”, thotë ai.

Lexo edhe:  Bllokohet rruga Tiranë-Durrës

E sigurt për Ristanin është se janari do të fillojë me protesta, dhe pritet që të kemi sërish një “Çadra 2”. Format e protestës nuk janë përcaktuar ende nga partia, por sipas Ristanit mund të përdoren edhe forma më ‘inovative’ sic ai i quan.

E sigurt është që viti që vjen do të fillojë me protesta nga opozita; protesta të cilat do marrin formën e “Çadrës 1”, format e tjera tradicionale të protestës, apo forma edhe më inovative, kjo nuk ka shumë rëndësi, por të gjitha janë ende në diskutim. Me rëndësi është të theksojmë se zgjedhjet nuk po japin zgjidhje, lufta parlamentare gjithashtu, betejat institucionale ligjore, aq më pak. E gjitha kjo për shkak se në pushtet kemi një bandë kriminale e cila nuk operon me të njëjtat mjete. Në këto kushte, protesta sa më e fuqishme të jetë e mundur, është mundësi për të gjetur zgjidhje”, – thotë ai.