Kosova dhe Lugina e Presheves

Shoqëria në Kosovë e ka për obligim të rri pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës drejt krijimit të realiteteve politike atje. Rruga nuk është e shkurtër për ta kryer me një akt. Realiteti nuk bëhet as me deklarime verbale e emotive.

Më kujtohen fare mirë vitet e 90-ta në Kosovë, atëherë kur shumica e punëtorëve shqiptarë u larguan nga puna si pasojë e futjes së masave të dhunshme në çdo kolektivë punues apo institucion nga Kuvendi i Serbisë. Fillimi ishte i vështirë, më kujtohet se vitin e parë në gjendje të krijuar e konsideronin si dimrin e madh social. Krahas organizimeve të brendshme, gjithsesi se mundësitë ishin të vogla për të përmbushur kërkesat për bijetesë të mijëra familjeve.

Në fokus doli aksioni familja ndihmon familjen dhe ende i ruaj të freskëta kujtimet apo aksionet e zhvilluara nga shqiptarët e Luginës së Preshevës për të ndihmuar vëllezërit e tyre në Kosovë. Më kujtohet Avniu, Rahovica etj. Më kujtohet bujaria e atyre bashkëkombasve tanë për të na ndihmuar në atë kohë, për të qëndruar në vend dhe mos lejuar realizimin e spastrimit etnik përmes kartës sociale.

Sot, në Kosovë nga ajo kohë ka realitet tjetër dhe luginë tjetër. Atje qoftë në aspektin social, të sigurisë dhe hapësirës politike, rrezikohet jetesa e shqiptarëve. Një pjesë e mirë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë veç të shpërngulur në kërkim të jetës më të mirë dhe po braktisen ato territore.
Politika nuk mund të zhvillohet pa elementin kryesor, qytetarët e atij vendi.

Po ne, si shoqëri e Kosovës, a thua kemi obligime karshi këtij zhvillimi?

Po i lëmë institucionet e vendit, duke ditur se ende kanë problemet në rrugën e tyre të shtetndërtimit dhe zhvillimit. A mundemi ne si qytetarë të Kosovës të bëjmë diç për të ndihmuar që shqiptarët e Luginës të forcohen si etnitet, ta zhvillojnë rajonin, të kultivojnë arsimim e kulturë autonome? – Gjithsesi se po, por duhet pasur vullnet dhe iniciativa. Fare pa hyrë në statistika zyrtare, konsideroj të jenë rreth 40 mijë biznese në Kosovë që në vit do të mund të ndanin nga 100 euro pa asnjë problem për fondin e mbijetesës për Luginën e Preshevës, nga të cilat shuma do të krijoheshin në vit së paku 4 milionë euro. Sigurisht se me shuma të tilla nuk ishte bërë nami, porse me destinime të mirëfillta do të krijoheshin realitete faktike gradualisht në fusha të caktuara.

Lexo edhe:  Përse po bllokohen të rinjët tanë?

Mendoj që në këtë fazë të zhvillimeve, lëvizjet e tilla drejt krijimit të realiteteve me hapa të ngadaltë por të sigurtë, është rruga që çon te suksesi apo synimi. Rrugët tjera, me anë të të cilave synohet që me një veprim politik të arrihet caku, mendoj të hynë në sferën e aventurës politike sado që të jenë të drejta kërkesat. Një porosi gjithsesi është për gjithë ata shqiptarë me prejardhje nga Lugina, por që jetojnë e veprojnë në Prishtinë, ndoshta edhe në kushte luksi, por që fare pak e mendojnë se çfarë të bëjnë me shqiptarët e Luginës apo bashkëvendasit e tyre. Qytetarët e Luginës së Preshevës aq sa kanë nevojë për mbështetje institucionale e politike, kanë nevojën e mbështetjes vëllazërore nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Serbia si vend që aspiron në BE, gjithsesi se do ta ketë një stacion ndalës për të plotësuar ca standarde dhe ai momentum politik do të vie patjetër, por ne duhet të gjithë të ndihmojmë që të krijojmë realitete atje. Ky duhet të jetë vetëm fillim i aktiviteteve…/Shkruan: Bahri Bivolaku