Kosova me fitore feston titullin

Rrebesh golash në Cyrih, FC Kosova përmbys gjithçka dhe fundos kundërshtarin në minutat e fundit të lojës.

6-3 ka qenë fundi dramatik i ndeshjes së fundit të FC Kosovës përballë Usterit që ishte përgatitur maksimalisht për t’ia prishur festën Kosovës para më tepër se dy mijë shikuesve shqiptarë që e donin skuadrën e tyre sërish në ligën ku ekipet e emigranteve janë raritet.

FC Kosova ka zhvilluar të shtunën njërën nga ndeshjet më spektakolare të saj për titullin e kampionit të ligës së dytë nderregjionale. Kosova e trajnerit Jürgen Seeberger është përballur me një presion të madh loje para më tepër se dy mijë shikuesve që kërkonin fitoren e ekipit të tyre në lojën e fundit të kampionatit, të rëndësishme për ngjitje në „Promotion League“ të Zvicrës.

FC Kosova e kishte konsideruar ndeshjen kundër FC Usterit një ndeshje formale për kaluar në ligën ku skuadrat e emigrantëve janë ekzotike, por doli një arrë e fortë sfiduese që djersiti për plotë 70 minuta lojtarët dhe publikun që nuk mund ta besonte dot disanvantazhin e skuadrës së tyre.

„Kjo lojë ka qenë një krim i vërtet, ne nuk startuam ashtu siç kishim planifikuar. Ekipi kundërshtare ka luajtur shumë mirë dhe kjo sfidë na detyroi neve që të mobilizojmë të gjitha forcat për të përmbysur rezultatin dhe pas presionit të vazhdueshëm të lojtarëve tanë, ata bënë gabimet dhe ne i shfrytëzuam me një epilog përfundimtar 6 me 3“, u shpreh Arsim Hyseni.

Megjithatë, menaxheri i klubit Arsim Hyseni thotë se asnjëherë nuk kishte humbur besimin në lojtarët e tij se ata në fund do t’ia dalin ta fitojnë lojën. „Unë s’kam menduar shumë, e kam ditur që do të kthehemi, por jo në këtë mënyrë spektakolare.“, deklaroi Arsim Hyseni.

Kosova është befasuar tri herë nga kundërshtari me kundërsulme të shpejta.

Qysh në minutën e tretë kanë marrë golin zhgënjyes dhe pa kaluar shumë kohë, kosovarët kanë barazuar dhe më pas prape kanë marrë golin e dytë nga një goditje standarde. Pjesën e parë e kanë mbyllur me rezultat dy me një dhe, në gjysmën e parë të pjesës së dytë kanë barazuar, por kanë vuajtur më pas duke marrë dhe golin e tretë e duke hequr një penallti.

Lexo edhe:  Cristiano Ronaldo, mes Realit e PSG

Loja ka marrë kthesë me golin e tretë të barazimit të shënuar nga Shqiprim Aliu.

Pas kësaj rrjedha e lojës po merrte një dinamikë tjetër, FC Kosova dhe publiku ishin elektrizuar nga minutat e pakët të lojës që kishin mbetur dhe kërkonin me ngulm golin e fitores. Nuk ka vonuar shumë dhe i njëjti lojtar i golit të tretë, ka shpërthyer me golin e përmbysjes që i siguronte Kosovës rikthimin në ligën e klubeve të mëdha zvicerane.

„Na kurrë nuk e kemi humbur besimin, kemi besuar deri në fund“, thotë Shqipërim Aliu me numër 9, i cili realizoi golin e barazimit dhe e katërt të avantazhit.

FC Kosova është e vetmja skuadër emigrantësh që do të luaj në ligën Promotion. Veç kësaj ky klub i madh i shqiptarëve të Zvicrës ka bërë për vete një trajner profesionist gjerman i cili ka ardhur nga ekipi i Challenge ligës, FC Winterthur. Në klubin e kosovarëve ka edhe trajner tjerë zviceranë të juniorëve e lojtarë jo shqiptarë që flasin me admirim për Kosovën dhe shqiptarët miqësor. Ky koloritet i ekipit që mban emrin e vendit tonë, është një dritë e fortë e integrimit dhe marrëdhënieve të shkëlqyera të komunitet shqiptar ndaj vendasve.

Vetë trajneri Jürgen Seeberger, ka deklaruar në fund të ndeshjes para lojtarëve të tij dhe mysafireve të shumtë në darkën e fitores, se ka kërkuar një përvojë të re me një ekip huaj dhe këtë e kam gjetur në mes të Cyrihur mes qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë këtu, të cilët më kane befasuar me përkushtimin bashkëveprimin në të mirë të klubit, i cili për nga ana materiali ndoshta qëndron poshtë ekipeve tjera zvicerane, por nga ana shpirtërore, ju qëndroni lartë dhe jeni të pakrahasueshëm.

„Loja ka qenë tejet dramatike dhe ne është dashur të bëjmë kthesën për të arritur fitorën. Kjo fletë për ekipin dhe unë jam tejet krenar, veçmas me lojtarët që kanë pasur pak minutash loje, por që na kanë mbështetur gjatë tërë sezones. Ne e kemi merituar fitoren“, u shpreh për albinfo.ch në fund të bisedës, trajneri Seeberger.

SHARE