Krasniqi: Të gjithë kanë synim kryesor grabitjen e çdo gjëje

Kryetari i Këshillit kombëtar i Nismës, Jakup Krasniqi, në një shkrim të gjatë, i ka komentuar zhvillimet politike.

Thotë se që të gjithë, pa përjashtim, synim kryesor kanë grabitjen e çdo gjëje për interesat e tyre e të kapadainjve rreth tyre, e aspak interesin e shtetit të Kosovës. Ai pyet se si të kuptohet fakti që këta politikanë që nga fillimi i vitit 2011 e gjithë deri më tani nuk kanë qenë në gjendje t’i zgjidhin disa çështje që zvarriten nga viti në vit. “E këto çështje janë: liberalizimi i vizave, sundimi i ligjit, formimi i ushtrisë, demarkacioni, asociacioni”, shkruan ai.

KOHË E VENDIMEVE TË MËDHA APO E DËSHTIMEVE TË MËDHA

Nga Jakup Krasniqi

Duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë e për Kosovën, nuk ka ndonjë vështirësi për të parë se mbretërit e partive të mëdha pa përjashtim janë duke luftuar e angazhuar fort dhe më energji të shtuara që të luftojnë për interesa të tyre e të një grupi të servilëve që kanë grumbulluar rreth vetës.

Që të gjithë, pa përjashtim, synim kryesor kanë grabitjen e çdo gjëje për interesat e tyre e të kapadainjve rreth tyre e aspak interesin e shtetit të Kosovës. Përndryshe, si të kuptohet fakti se këta politikanë që nga fillimi i vitit 2011 e gjithë deri më tani nuk kanë qenë në gjendje t’i zgjidhin disa çështje që na zvarriten nga viti në vit.

E këto çështje janë: liberalizimi i vizave, sundimi i ligjit, formimi i ushtrisë, demarkacioni, asociacioni. Këto çështje i kanë orientuar të gjitha energjitë e vendit të merren me to e që nuk kanë ndonjë efekt në përmirësimin e segmenteve të tjera që do të ndikonin drejtpërdrejt në ngritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës. Por, kjo nuk do të thotë se ata janë pa përgjegjësi dhe as t’i amnistojë qytetarët e Kosovës nga përgjegjësia e tyre, e cila përgjegjësi burimet i ka në zgjedhjet e lira e demokratike, që vazhdimisht janë duke u përcjellë më dobësi të natyrave të ndryshme.

Të gjithë politikanët e dinë, madje e dinë mirë se Sistemi Zgjedhor Proporcional e me lista të hapura, ku votohen shumë kandidatë, është burimi kryesor që mundësinë për zgjedhje demokratike i bën ato jodemokratike.

Kjo çështje heshtet nga të gjithë, se të gjithë po e dëshirojnë votën e komanduar nga të plotfuqishmit e partive politike përmes komisionarëve të tyre. Madje edhe dy palë zgjedhjet e fundit dëshmojnë par parregullsi. Të plotfuqishmit e partive politike janë organi i vetëm, madje kryesor, i partive politike në Kosovë, saqë tani nuk ka mbetur hapësirë e as mundësi për të formuar parti politike që udhëhiqen nga organet kryesore të tyre.

Nuk kam asnjë fije dyshimi, duhet liruar një herë e mirë nga ky despotizëm e mentalitet sundimi mbi partitë, e që pastaj, sipas një efekti domino, e njëjta logjikë bartet në institucionet e shtetit, që do të thotë mbi qytetarët e Kosovës. Ne nuk mund të presim qeverisje demokratike, liberalizim të vizave e integrime euroatlantike me këtë nivel të demokracisë që kemi instaluar.

Ndryshe, si të kuptohet stërzgjatja e tranzicionit në trojet shqiptare (shtetet shqiptare), diku mbi 25 vjet e diku rreth 19 vjet lirie e dhjetë vjet pavarësie! Kjo edhe mund të kuptohet, se drejtuesit e politikës shqiptare pa përjashtim nuk dinë e më shumë nuk donë t’i bëjnë shtetet me demokraci funksionale e në shërbim të qytetarëve të tyre.

Pse po them që nuk donë?

Nuk donë, se ata e dinë që nuk shquhen për dije e dituri në qeverisje e as për ndonjë menaxhim të duhur në ndonjë sferë të jetës, veç dijeve për të shmangur e grabitur për vete dhe rrethin e tyre, rrethe që përbëhen nga jurishnikët e ndryshëm.

Madje nuk është fenomeni në shqyrtim vetëm pse nuk dinë, por këta nuk donë as të afrojnë rreth vetes njerëz që dinë e donë të punojnë për shtetin e kombin e tyre. Në demokraci këta njerëz mund të shmangen në mënyrën më të lehtë përmes zgjedhjeve të lira. Por, tek ne kjo vështirë se bëhet, se këta i kanë kapur të gjithë mekanizmat e zgjedhjeve përmes partizanëve të tyre.

Prandaj këto institucione dhe e gjithë reforma zgjedhore domosdoshmërisht duhet të ndryshohen tërësisht! Pa ndryshimin e tyre dhe pa gatishmërinë e politikës shqiptare për të ndërtuar sistemin shoqëror demokratik, nuk do të ketë zhvillim e progres në trojet shqiptare. Këta njerëz, që nuk kanë vullnet të bëjnë të duhurën, të domosdoshmen, imediaten – zgjedhjet e lira, të drejta e të pamanipulueshme, – kurrë nuk do të jenë në gjendje të marrin vendime të tjera të mëdha, siç janë: demarkacioni, e ashtuquajtura bashkësi komunash serbe, ndërtimi i një sistemi efikas i drejtësisë (pa Gjykatën Speciale) si dhe formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës.

Po flas për gjerat qe të tjerët po ia kërkojnë shtetit tonë, madje edhe duke bërë presion, se gjendja është akoma edhe më e rëndë për të gjitha çështjet që janë shumë më vitale e më të rëndësishme për jetën e qytetarëve tanë, siç janë: zhvillimi ekonomik, punësimi i njerëzve të cilët po plaken pa e pasur e “shijuar” një vend të shumëdëshiruar pune, e të mos flasim për ata që perspektivën po e kërkojnë në theqafje: ikje nga atdheu! Pastaj vijnë arsimi i degraduar skajshmërisht, sistemi shëndetësor i vënë para një kolapsi total, hapësirë të degraduar e ambient të helmuar.

Këto elementet e fundit janë ato që konfirmojnë më së miri, se të gjitha qeverisjet tona kanë qenë e me gjasë kanë mbetur të padijshme për të qeverisur, ndodhur pikërisht kjo, se interesit të vendit nuk i është kushtuar vëmendja e duhur qysh nga zgjedhjet e para nacionale të vitit 2001. Që nga ajo kohë, në të gjitha institucionet e shtetit pa përjashtim janë bërë pazare për interesat e krerëve të partive politike, pa e shikuar as edhe një herë interesin e kombit e të shtetit.

Pazare që i kanë degraduar institucionet e shtetit. Kjo logjikë e ndjekur në vazhdimësi, nuk mund të prodhonte fryte të tjera, veç këtyre që po i shijojmë dhe shija e tyre është shije veç helmi e asgjë tjetër! Këtij helmi sikur i dhamë shije edhe me zgjedhje “të lira”! Mbase të gjithë qytetaret e vendit i ndihmuan kësaj gjendjeje! Sepse, edhe këta të fundit duhet të mbajnë përgjegjësinë, qoftë kur e hedhin votën e fshehtë në kutitë e votimit, qoftë edhe kur nuk e hedhin votën, me mosdalje, duke i shërbyer së keqes e viktimizuar pastaj po vetë ata!

Sepse, përfundimisht, duhet ta dimë apo ta dinë (ata, votuesit) se të zgjedhurit – të votuarit – kanë marrë përgjegjësinë e qeverisjes nga Ata dhe se është momenti i fundit që t’i marrin vendimet e duhura për të cilat jemi vonuar shumë.

Gjithashtu duhet ta dinë këta që po qeverisin, në emrin e lëvizjeve të rezistencës kombëtare, se duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj problemeve të kombit e të shtetit ose të dështojnë e të nënshkruajnë kapitullimin e tyre para atyre forcave që janë me shikim nga lindja! Kjo tashmë ka edhe shenjat e para në horizont! Uroj të jem i gabuar në këtë parashikim! Ndaj, këta “lindorë” presin jo vetëm dështimin tuaj si kategori, por presin edhe dështimin e shtetit! Këtë duhet ta kini të qartë! Këta nuk janë pa mbështetjen e të gjithë atyre që e presin dështimin tuaj!

Është kohë e vendimeve të mëdha apo e dështimeve të mëdha! Kjo varet nga ju që numrat i keni me kimet!

Dështimi nuk i duhet asnjë qytetari të Republikës sonë!

Lexo edhe:  Xhevdet Smakiqi: Membrana e Drenicës !