Kryeministri Mustafa e ministri Bajrami ngushëllojnë familjen Kelmendi

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ngushëlloi familjen Kelmendi dhe qytetarët e Kosovës pas ndarjes nga jeta të publicistit Ramiz Kelmendi.

Mustafa ka thënë se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë dhe kulturën kosovare në përgjithësi.

“Ramiz Kelmendi do të mbahet mend si një intelektual erudit, i cili dha kontribut të shquar në zhvillimin e gazetarisë, krijimtarisë letrare dhe fushave të tjera të kulturës në Kosovë. Kosova ka humbur një mendje të ndritur i cili do të përkujtohet përherë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Mustafa.

Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka ngushëlluar familjen Kelmendi.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Ramiz Kelmendi. Profesor Kelmendi ishte një atdhetar, shkrimtar dhe gazetar i shquar i Kosovës, por mbi të gjitha ishte mësimdhënës i dalluar. Ai dha kontribut të madh sidomos në përgatitjen e gazetarëve të rinj, duke shënuar kështu edhe një etapë të re të arsimit: fillimin e arsimit të lartë privat”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Lexo edhe:  Pajisjet dimërore, të detyrueshme për shoferët nga 15 nëntori – por çka përfshijnë ato?

“E gjithë vepra e tij jetësore dhe vlerat e larta njerëzore e bëjnë madhështore dhe të pazëvendësueshme figurën e profesor Ramiz Kelmendit. Ju lutem që në emër të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe Teknologjisë dhe në emër timin, t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në mesazh.

Familjes Kelmendi telegram ngushëllimi i ka dërguar edhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj, të shkrimtarit dhe të gazetarit tonë të respektuar, Ramiz Kelmendit. Ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është një humbje e rëndë jo vetëm për ju, por edhe për kulturën dhe për letrat shqipe. Shkrimtari i njohur, Ramiz Kelmendi, me një sërë veprash të zhanreve të ndryshme, si: letrare, gazetareske e publicistike, është një nga themeluesit e jetës letrare e kulturore të Kosovës. Ai, me krijimtarinë e tij, ishte përkushtuar, siç thoshte vetë, të shkruante për jetën”, thuhet në telegram.