Lavrov: SHBA po e provokon Korenë e Veriut

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se Shtetet e Bashkuara po e provokojnë Korenë e Veriut që të intensifikojë programin e saj bërthamor.

Lavrov po ashtu i hodhi poshtë thirrjet e SHBA-së për të ndërprerë lidhjet me Phenjanin, pas provës së fundit me raketë balistike.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur pasi Veriu, më 29 nëntor, ka thënë se ka testuar me sukses një raketë balistike ndërkontinentale, e cila, sipas tij, mund të godasë kudo në territorin e SHBA-së.

Uashingtoni u ka bërë thirrje vendeve që të ndërpresin lidhjet me Phenjanin dhe e ka paralajmëruar regjimin verikorean se “do të shkatërrohet plotësisht” nëse shpërthen lufta.

Moska e ka dënuar provën raketore të Phenjanit, por Lavrov tha se SHBA po përpiqet të provokojë liderin verikorean, Kim Jong Un, për të ndërmarrë “veprime të reja ekstreme”.

Lavrov po ashtu tha se SHBA-ja dhe Koreja e Jugut nuk duhet t’i mbajnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të planifikuara për dhjetor.

“Nëse duan të gjejnë pretekst për të shkatërruar Korenë e Veriut, le ta thonë”, tha Lavrov.

Lexo edhe:  SHBA: Nuk dëshirohet luftë me K. Veriore, por ky regjim do të shkatërrohej

Ai i bëri komentet pasi ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se Uashingtoni nuk do luftë me Korenë e Veriut, por paralajmëroi se regjimi i saj do të shkatërrohet, “nëse vazhdon me akte të agresionit që çojnë në luftë”.