Libri për terrorin serb mbi shqiptarët, mesazh kundër harresës

Ditë më parë, në restorantin e QSHKIR në Lozanë, u bë promovimi i librit enciklopedik “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844- 1999” i autorit Prof.dr.Nusret Pllana.

Qendra Shqiptare për Kulturë, Integrim dhe Religjion në Lozanë të Zvicrës, ka bërë më 18 nëntor 2017 promovimin e librit enciklopedik “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844- 1999” të autorit Prof.dr.Nusret Pllana, profesor në Universitetin e Prishtinës. Ky libër është përkthyer në 8 gjuhë botërore dhe i promovuar në më shumë se 58 qendrat më të njohura evropiane e botërore. Po këtë mbrëmje është shfaqur edhe filmi dokumentar “Dëshmitë e Heshtura” i të njëjtit autor.

Promovimi u organizua nga Kryesia e Qendrës, nën udhëheqjen e Fehim Abazit, Imam dhe Kryetar i Qendrës Shqiptare për Kulturë dhe Religjion në Lozanë. Në këtë manifestim shumë të suksesshëm me karakter kombëtar, shkencor, kulturor e historik, merrnin pjesë edhe Konsulli i Republikës së Kosovës në Gjenevë, z. Ramadan Avdiu , nënkryetari i Rjetit të Biznesit Shqiptar në Zvicër z. Naser Mustafa, kirurgu i mirënjohur shqiptar, prof. Dr. Gëzim Dushi, ndërmjetësusja ndërkulturore në projektin “Age et Migration” në kuadër të EPER-it zonja Luljeta Krasniqi Hajzeraj, si dhe një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë nga Vevey, Fribourg, Payerne, Morges, shumë afaristë të suksesshëm në Kantonin VAUD dhe më gjerë. Kjo ngjarje e rëndësishme u përcoll nga ekipi i RTK-së.

Ramadan Avdiu , z. Naser Mustafa , Fehim Abazi dhe shumë diskutues të tjerë e vlerësuan lart kontributin e publicistit Nusret Pllana. Ai me veprat e tij të shumta publicistike e dokumentare, duke i promovuar ato gjithandej Evropës, Amerikës, Kanadasë, Azisë e Australisë, bëri që opinioni përparimtar evropian e botëror të sensibilizohet me tragjeditë, masakrat, dhunimet, dëbimet, djegiet dhe vrasjet e popullatës shqiptare civile deri në shkallë gjenocidale nga regjimet e vazhdueshme barbare serbe, në një periudhë sistematike nga viti 1844-1999.

Te të pranishmit kishte emocione të mëdha, që herë herë shpërthenin në lot, derisa i ndiqnin në projektor pamjet e dhimbshme e trishtuese të filmit dokumentar “Dëshmitë e Heshtura” të autorit Nusret Pllana – nën regji të Luan Kryeziut.

I vetmi mesazh që dilte nga promovimi i këtyre veprave të Prof.Pllanës, ishte mos-harresa e kujtesës historike dhe që viktima e krimineli të mos barazohen kurrë, tendencë kjo fatkeqësisht edhe nga ata që bëjnë drejtësi ndërkombëtare në Evropë e me gjerë. Përderisa kriminelët serbë me gjithë faktin që kanë kryer gjithë ato krime e mizori mbi shqiptarët ende nuk janë akuzuar e dënuar qe 18 vite, prej se ka mbaruar lufta gjenocidale në Kosovë.

Në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, Imami dhe njëherësh Kryetari i Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë Fehim ef. Abazi, fillimisht uroi të pranishmit për 28 Nëntorin që është në prag. “Shqiptarët në të gjitha trevat ku jetojnë këto ditë festojnë 28 Nëntorin, ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, daljen e parë publike të pjesëtarëve të UÇK-së dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari. Kjo ditë e bekuar dhe e shënuar për të gjithë ne ka qenë dhe mbetet simbol i bashkimit, unitetit, lidhjes, krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar. Liria e arritur, është vlera jonë dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë tonë, e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë e përpjekje, gjak dhe vuajtje brezash. Po këtë ditë është edhe datëlindja e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Festat e nëntorit janë festat e krenarisë sonë kombëtare, të cilat na dhanë forcë e kurajë për rilindjen e shtetit të Kosovës. Në këtë ditë të shënuar, ne falenderojmë dhe lutemi për të gjithë ata të cilët luftuan dhe flijuan veten e tyre për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë.

Lexo edhe:  Teatri “Neumarkt” nga Cyrihu vjen me një shfaqje në Prishtinë

Me rastin e këtyre datave të shënuara të historisë sonë anekënd trojeve shqiptare dhe në mërgatë do të organizohen manifestime të shumta, andaj ne si kryesi e QSHIKR në Lozanë, kemi zgjedhur si aktivitet për festat e Nëntorit promovimin e librit “TERRORI I SEFBISË PUSHTUESE MBI SHQIPTARËT 1844-1999” të autorit prof. Dr. Nusret Pllana”, tha z. Abazi. Ai më tutje e cilësoi librin si një vepër me vlera të mëdha dhe të shumëfishta, pasi që ai: “hedh poshtë gënjeshtrat serbe dhe propagandën antishqiptare,dëshmon gjenocidin dhe dhunën shekullore të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe njofton botën për këto dhe të këqijat të papara të ushtruara ndaj popullit shqiptar. Libri në fjalë me këto të dhëna dhe i përkthyer në 8 gjuhë të botës, arsyeton luftën për liri e mbijetesë të shqiptarëve, arsyeton ndihmën e aleatëve për çlirimin e Kosovës, formimin e shtetit të Kosovës si dhe njohjen dhe mbështetjen e shtetit të Kosovës dhe popullin e saj”, ka thënë veç tjerash Imami dhe njëherësh Kryetari i Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë Fehim ef. Abazi.

Ai, për kontributin në organizimin e këtij aktiviteti ka falënderuar zotërinjtë: Shqiprim Ameti, Nahit Poga, Adnan Hoxha, Hatim Mazreku, Ruhan Igrishta, H.Hevzi Rahimi, Gazmend Emini, Shpetim Neziri, Lulzim Ajdari etj.