Lubonja: Pse po hesht Saimir Tahiri

Fatos Lubonja u shpreh se heshtja e Saimir Tahirit pas ngjarjes në Elbasan, ku biznesmeni Orest Sota u kap me 863 mijë euro dhe patentat e ish-ministrit në makinë, ka për qëllim të shmangë zbulimin e detajeve të tjera.

Sipas Lubonjës, Tahiri hesht pasi e ka të vështirë të gjejë një alibi për këtë ngjarje. Atij i intereson që të politizohet situata dhe jo të dalin alibi që do të rrezikonin më shumë të rëndonin situatën e tij.

“Heshtja e Tahirit ndoshta është më e lehtë për t’u kuptuar. Ka të bëjë me atë se ndoshta e ka të vështirë të gjejë një alibi, dhe mund të krijojë probleme të tjera. Në rast se do krijonte ndonjë alibi, do të rrezikonte të zbulohen detaje të tjera.

Ndaj ka zgjedhur të heshtë për interesat e tij. Ajo që intereson gjithsesi është të bëhen shumë fjalë, shumë zhurmë, të krijohet një polarizim, dhe të thonë ‘o me ne, o me ata’. Ndaj përpiqen ta politizojnë rastin”,– u shpreh Fatos Lubonja në një lidhje me “News 24”.

“Është ndër gjërat që kam thënë në atë kohë. E para që Visho Ajazi braktisi detyrën në një moment të rëndësishëm, siç ishte rasti ‘Tahiri’ si dhe policia e përfshirë në krim. Ai u tërhoq. E dyta ne kemi të bëjmë me një hap të Ramës për të kontrolluar SHISH, i cili ishte i vetmi institucion që nuk e kontrollonte. Visho Ajazi u tërhoq në një moment delikat se mbase kështu janë bërë pazaret. Qeveria dhe krimi nuk po dallohet se ku fillojnë dhe ku mbarojnë. Jemi në një moment që duhet të reflektojmë shumë thellë për rreziqet që na kanosen”,- tha Lubonja.

Lubonja komentoi edhe deklaratat e kreut të PD, Lulzim Basha, i cili kërkoi ndihmë FBI dhe DEA për të zbërthyer lidhjet e krimit me politiken dhe parave të krimit që do investohen në ekonominë shqiptare. Lubonja tha se problemet duhet të zgjidhen vetë dhe jo duke kërkuar ndihmë nga të huajt.

Lexo edhe:  Musliu: Nëse nuk hiqet muri në Mitrovicë, do të vendosim murin tonë në Preshevë!

“Nuk më pelqeu një moment në akuzat e opozitës, ku Basha kërkon nga FBI që të bëjë transparencë. Unë s’di se si mund ta bëjë, nëse bëhet fjalë sic thotë edhe Vasili që këtu me paratë e krimit do filtrohen në ekonomi përmes oligarkisë, dhe paratë e krimit ku aludohet për një lidhje direkte midis parave të krimit dhe trafikantëve dhe oligarkëve këtu s’është më fjala të përmendimn këto terma të përgjithshme është fjala të përmendin emra, cilët janë dhe cila është lidhja direkte apo indirekte që ka pasur politika e s’mund ta bëjë FBI më mirë se opozita për të qenë e ndershme me njerëzit. Unë mendoj së politika jonë ka pritur shumë për të huajt dhe kjo na ka sjellë në ripërtëritje të situatave. Mendoj se situatat duhet ti zgjidhim vetë, pasi të huajt kanë interesa të tjera.

Të huajt janë gjithmonë të vonuar, kanë interesa te tjera më përpara se të shqiptarëve, gjeopolitike më parë, sic ishte rasti i piramidave kur ndodhi ajo katastrofë ne kishim 2-3 vjet që flisnim për qeveri gangsterësh por të huajt kur u kujtuan ne e paguam atë me mijëra jetë që humbën, e të nxjerrim mësime nga kjo e mos të presim të na shpëtojë ambasadori amerikan apo ndonjë tjetër, edhe FBI mund të na japë informacione e të legjitimojë prova, por puna kryesore duhet të bëhet në këtë vend nga ana e opozitës. Nuk mund të presim që transparencën ta bëjë FBI dhe shpëtimin të na i bëjë ambasadori amerikan apo ndonjë ambasador tjetër”,- tha Lubonja.