Majko: Bizneset po na thonë të mos e hapim kufirin me Kosovën

Ministri i Shtetit shqiptar për Diasporën, Pandeli Majko, bëri një deklaratë të fortë, duke zbuluar arsyen që e pengon lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe që praktikisht i bën marrëdhëniet mes dy vendeve të mbeten në nivelin e Abetares, ndërkohë që Kosova i afrohet 10 vjetorit të pavarësisë.

Majko, në një intervistë për RTSH, ka thënë se janë bizneset ato që po pengojnë lëvizjen e lirë mes dy vendeve pasi po u druhen uljes së çmimit të mallrave.

“Pas nesh qëndrojnë bizneset dhe bizneset na thonë: ‘prit, kujdes, mos hap kufirin, se më duhet mua koncesioni atje, mos ma hap kufirin se më ul mua çmimin e mallrave, më duhet mua politika, se më intereson më mirë të hyjë malli nga ky drejtim se sa nga ai drejtim’.

Pavarësisht se duket sikur po qeveris politika, gjithmonë e më tepër rregullin po e vendos biznesi.

Sikur ta vendoste në foks të interesave ia kisha bërë hallall, por ngandonjëherë vendimmarrja nën lobingun e biznesit është për të qarë hallin dhe nëse ka një pamje të ulët të keqtrajtimit që biznesi po i bën politikës është moslënia e lëvizjes së lirë të njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës, është në nivelin e krimit”, tha Majko.
Majko i qëndron idesë se porti i Shëngjinit, një premtim i pambajtur i qeverisë Rama dhe i artikuluar edhe nga Majko vet, do të kishte ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Lexo edhe:  Kryebashkiakët shqiptarë të rajonit me platformë bashkëpunimi

“Duhet ta kishim dhënë prej kohësh, nuk u bë realitet. Nëse sot Kosova do ta kishte portin e Shëngjinit gjërat do të ishin shumë ndryshe, qoftë në Shëngjin, qoftë në pikëpamje të marrëdhënieve ekonomike me Kosovën”, u shpreh Majko.