Majko komenton rezultatin e zgjedhjeve dhe koalicionet e mundshme

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, në një postim në Facebook ka folur për rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, duke thënë se tani palëve u nevojitet të flasin me njëra-tjetrën. Ai ka thënë se vendit tani i duhet një qeverisje ndryshe nga deklaratat e fushatës.

Këtu mund ta lexoni të plotë postimin e Majkos të cilin e ka ilustruar me një fotografi interesante:

12 QERSHORI… I PRISHTINES

Në Kosovë u kryen zgjedhjet! Rezultati ka nxjerrë fitimtarë të humbur dhe të humbur fitues.

Politika është premtim në fushatë dhe vendimarrje në qeverisje. Palëve politike në Prishtinë tashme ju duhet të ulen me njëra tjetrën pasi votuesit (dhe jo politikanët) kanë vendosur që ti detyrojnë të merren vesh mes tyre për të ardhmen e Kosovës. Vendit i duhet qeverisja që sigurisht është e ndryshme nga deklaratat e fushatës elektorale.

Në 12 qershor NATO hyri në Kosovë duke e fiksuar si ditë të clirimit të vendit. Në vitin 1999 shqiptarët dinin qartazi kundër kujt ishin dhe e fituan Luftën.

Sot, në 12 qershor 2017, Kosova ka një elitë politike që do të provojë mbi dallimet, se për cfarë duhet të jenë bashkë. Rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë edhe si provë se udhëkryqet e paqes shpesh janë më të rënda në zgjedhje se sa ato të Luftës.

Në 1999 në Prishtinë hyri liria. Ajo u shërbye si gjellë e ftohtë. Pritshmëritë dhe realiteti kërkuan urën lidhëse të politikës. Politika në Prishtinë është bursa më e cuditshme në rajonin e trazuar ku fati shqiptarëve diskutohet si përmbajtje dhe jo formë. Shkolla e politikës e cila po krijohet në Prishtinë është e sofistikuar. Ajo që duket, shpesh, nuk është ajo që ndodh. Rregulli i saj i parë është se ardhmja është ajo që bëhet sot!…

Uroj pragmatizëm dhe marrëveshje për qeverisjen e Kosovës. Pragmatizmi ka kufi moralin e të mundëshmes. E mundëshmja ka dysheme marrëveshjen për qeverisjen. Dhe qeverisja të ha fitoren. Këtë të fundit, e di mirë kushdo që merret me politikë. Në fund, qëndron qëllimi i cili nuk diskuton koston por ekzistencën. Qëllimi, quhet Kosovë!

Gëzuar Lirinë! Gëzuar krizën! Gëzuar 12 qershorin e Kosovës!

Lexo edhe:  Kur Isa Boletini parashikonte – para 100 vitesh – influencën ruse në Ballkan (Foto)