Me termocentralin e ri, “Termokosi” arrin edhe te banorët e Fushë-Kosovës, Obiliqit e Drenasit

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” është promovuar nga Qeveria edhe si projekt që garanton dyfishim të kapaciteteve për ngrohje, meqë avullin e tij do të mundë ta fusë në shfrytëzim ngrohtorja “Termokos” njësoj sikurse që tani përdor atë nga termocentralet ekzistuese.

Drejtues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, thonë se me këtë projekt ngrohje të mjaftueshme qendrore do ketë jo vetëm për banorët e Prishtinës, por edhe për ata të Fushë-Kosovës, Obiliqit dhe Drenasit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Megjithatë, deri tani në sistemin e ri të ngrohjes janë të kyçur vetëm 20 për qind të banorëve të Prishtinës – dhe projekti shumëmilionësh për zgjerimin e rrjetit, i cili me kapacitetet ekzistuese të avullit mund të ofrojë ngrohje edhe për po kaq banorë të kryeqytetit – ka dy vjet që është zyrtarizuar, por ende nuk ka filluar të zbatohet në praktikë.

Drejtues të “Termokosit” tani premtojnë se projekti i zgjerimit të rrjetit të ngrohjes me kapacitetet ekzistuese do të përfundojë gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Lexo edhe:  Sot shpallet aktgjykimi ndaj ish-kreut të OSHP-së dhe dy të tjerëve

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukaj, në ditën e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” ka thënë se ky është investimi i parë në gjenerim të kapaciteteve të reja që nga vitet 80’ dhe garanton stabilitet energjetik për vendin, si dhe dyfishim të kapaciteteve të koogjenerimit për ngrohje qendrore të Prishtinës me rrethinë.