Meta kundër ndryshimit të kufijve: Demarkacioni të zgjidhet në mënyrë të mençur

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se është tepër e rëndësishme që çështja e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të zgjidhet në mënyrë parimore dhe të mençur.

“Është tepër e rëndësishme që të bëhet një zgjidhje parimore dhe e mençur për demarkacionin, sepse kjo e zhbllokon procesin e liberalizimit”, ka thënë Meta në një intervistë për RTK.

“Nuk mendoj se kjo çështje mund të zgjidhet në këtë kohë kur Kosova është e përfshirë nën ethet elektorale të zgjedhjeve lokale. Por është një çështje që duhet të zgjidhet në mënyrë parimore, konstruktive dhe të mençur, pasi që është në interes të Kosovës që ta zgjidhë këtë problem dhe përmes kësaj t’i zhbllokojë proceset tjera”, ka theksuar Meta.

Presidenti shqiptar është shprehur kundër idesë për ndryshim të kufijve në Ballkan.

Ai ka thënë se ndryshimi i kufijve nuk është një zgjidhje, sepse me këtë do të hapej Kutia e Pandorës, që sipas tij, do të çonte drejtë zhvillimeve të paparashikueshme .

Lexo edhe:  Lladrovci: Një nga prioritetet e mia për vitin 2017 është edhe zgjidhja e çështjes së Stacionit të Autobusëve

“Përderisa vendet tona synojnë anëtarësimin në BE, ekziston vetëm një zgjidhje, zgjidhja evropiane për çështjen e kufijve që ata të bëhen të padukshëm dhe mos të jenë pengesë në marrëdhëniet në mes dy vendeve. Kjo është zgjidhja më e mirë. Së dyti në Ballkan çdo komb diku është shumicë dhe diku pakicë dhe është tepër e vështirë që të gjendet një zgjidhje “, ka theksuar Meta.