Ministri i Financave thotë se çështja e rritjes së pagave duhet të rregullohet me ligj

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka folur sot rreth moszbatimit të vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave për qeveritarët.

Në një konferencë për media, të mbajtur me rastin e vizitës së zëvendësdrejtorit menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Tao Zhang, Hamza ka thënë se “duke respektuar në plotësi rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese, ky vendim nuk ka prodhuar efekt financiar”.

“Ky vendim nuk është zbatuar në dhjetor e as në janar. Tani është pezulluar vendimi deri të qartësohet situata”, ka shtuar Hamza.

“Pagat e qeverisë janë caktuar me vendim. Qëndrimi im është që kjo cështje të rregullohet me ligj. Ka anomali brenda nivelit të pagave prej atyre që marrin pagë nga shteti”, ka vlerësuar ministri.

“Zgjidhja e duhur është miratimi i ligjit për reformë në administratë publike. Kjo situatë nuk zgjidhet me vendimi të Kushtetueses por me aprovim të ligjit për reformë në administratë publike”, ka thënë Hamza.

Sipas tij, shteti i Kosovës ka nevojë për sundim të ligjit, reforma në arsim dhe shëndetësi.

  Banka shtetërore gjermane transferon gabimisht 5 miliardë euro