Në Pejë më 17 janar mbahet manifestimi letrar “Flaka e Janarit”

Më 17 janar të vitit që vjen në Pejë mbahet edicioni i 35-të i manifestimit letrar “Flaka e Janarit”. Ky takim tradicional letrar në të cilin marrin pjesë poetë nga të gjitha trojet shqiptare, rregullisht mbahet për çdo vit pikërisht më datën 17 janar.

Këtë eveniment kulturor “Flaka e Janarit” e organizon Shoqata e Shkrimtarëve e Pejës, ndërsa marrin pjesë poetë nga Peja, Prishtina, Tirana, Gjirokastra, Korça, Elbasani, Shkodra, Shkupi, Tetova, Kërçova, Ulqini, Plava, Rozhaja, Presheva, Medvegja, Bujanoci, mërgata, etj.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës, Esat Loshaj, për gazetën “Lajm” ka thënë se janë në fazën përgatitore për mbajtjen e këtij takimi letrar dhe realizimin e këtij projekti të madh të kulturës për qytetin e Pejës.

“Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës në fillimvitin që vjen, më 17 janar 2018 në Pejë organizon manifestimin poetik “Flaka e Janarit”, edicionin e 35-të. Ky është viti i 35-të me radhë që e organizojmë këtë manifestim letrar “Flakën e Janarit”, që faktikisht është një ngjarje e madhe kulturore për qytetin e Pejës”, ka thënë Esat Loshaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës, për gazetën “Lajm”.

Ai ka theksuar se gjatë këtij manifestimi letrar do të mbahet Ora e Madhe Letrare, ku do të ndahen tri vendet e para për poezitë më të mira.

“Në këtë manifestim letrar marrin pjesë poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, përkatësisht sipas projektit janë paraparë të ftohen mbi 50 poetë nga të gjitha trevat shqiptare. Sipas agjendës së këtij evenimenti kulturor poetik do të mbahet Ora e Madhe Letrare, ku do të lexohen krijimet e poetëve, kurse juria e caktuar do të përzgjedh tri poezitë më të mira të takimit letrar”, ka thënë Loshaj.

Ai ka shpjeguar se “Flaka e Janarit” mbahet në kujtim të atdhetarit dhe të veprimtarit të çështjes kombëtare, gazetarit e poetit, muzikantit e këngëtarit, Jusuf Gërvalla.

“Me manifestimin letrar “Flaka e Janarit”, me vargjet e krijuesve letrar, e kujtojmë Jusuf Gërvallën si atdhetar dhe si njeri i artit, gazetar i kulturës, poet, këngëtar, muzicient dhe veprimtar i çështjes kombëtare, i cili në një atentat nga agjenturat ish jugosllave, u vra në Gjermani në vitet e nëntëdhjeta, vetëm e vetëm pse e kërkonte lirinë për popullin e tij shqiptar të Kosovës, i cili ndodhej nën robëri shekullore”, ka theksuar Loshaj.

Lexo edhe:  Elbenita dhe Ardiani, koncert me muzikë nga Kosova në operën e Essen-it

“Përmes kulturës, përmes manifestimit letrar “Flaka e Janarit”, përmes vargut poetik, muaji i parë i vitit, pra muaji janar, kujtohet me përplot plagë e ploje. Pra, është një mesazh përmes së cilit zgjojmë kujtesën tonë për të kaluarën tonë historike të hidhur. Jusufi i këndonte vendlindjes me mall të pashuar, derisa krijimtaria e tij kulturore e letrare ishte e pasur, sepse muza e shpirti i tij krijues ishte i pasur”, ka nënvizuar Loshaj.

“Një popull që di të nderoj figurat e ndritura të kombit, ai popull nuk ka vdekur, ai popull është i gjallë, ai popull jeton”, ka thënë ai.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës, Esat Loshaj, është i shqetësuar se a do të arrij të realizojë projektin e madh kulturor, ngaqë ka frikë se a do të gjej ndonjë sponsor për mbështetje financiare nga ndonjë biznes i madh i Pejës.

Kryetari Loshaj ka thënë se Komuna e Pejës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, nuk e ndihmon me mjete materiale këtë manifestim letrar, edhe pse ky manifestim letrar bëhet në qytetin e Pejës dhe për Pejën dhe i takon kësaj Drejtorie që ta mbështes edhe materialisht.

“Presim që të na ndihmoj ndonjë biznes dhe të sponzorojë projektin për mbajtjen e “Flakës së Janarit” në Pejë më 17 janar 2018. Nëse nuk del ndonjë biznes që na ndihmon, ka mundësi që të dështojë projekti.

I bëjmë ftesë bizneseve të Pejës që të na mbështesin në këtë projekt kulturor, sepse do t’i jemi mirënjohës dhe do t’i ndajmë Mirënjohje biznesit për mbështetje financiare për ndihmën e ofruar për mbajtjen e manifestimit letrar “Flaka e Janarit” në Pejë”.

Biznesi i interesuar mund të ndihmojë gjithë projektin me rreth dymijë euro në NLP Banka, Filiala në Pejë, në numrin e xhirollogarisë: 1706001600010308”, ka thënë në fund Loshaj. /Ahmet Pllana