Nivelizimi i pagave në Kosovë, ekspertët japin këto parashikime

Vendimet e fundit për rritje të pagave kanë bërë që partitë opozitare LDK e Vetëvendosje të dalin me kërkesë për nivelizim të pagave. Për ta kthyer situatën në normalitet, ekspertë të ekonomisë parashohin se duhet të nxirret ligji i cili sistemon pagat.

Ish-deputeti i Kuvendit, njëherësh profesori Muhamet Mustafa, ka thënë për “Indeksonline” se formimi i një ligji do të bënte që të rregullohet koeficienti i pagave dhe do të mundësohej vlerësimi i punëve.

“Çështja e nivelizimit të pagave në Administratën Publike duke filluar nga institucionet qeveritare është një çështje mjaft e koklavitur për arsye se në të kaluarën, por edhe tani janë marrë vendime ad-hoc, jo në mënyrë sistematike.Andaj, edhe në mandatin e kaluar ne kemi insistu që të nxirret një ligj i cili do të bënte një përshkrim, një vlerësim të punëve, do t`i rregullonte koeficientët e pagesave që do të kishin një logjikë më të mirë dhe sistematike. Tash natyrisht që kush duhet t`i rritë pagat, rendi do ta donte që ky ligj të konsultohet nga Qeveria, anipse ligji nga mandati i kaluar ka mbetur i paharmonizuar”, ka thënë ai.

Mustafa ka deklaruar se laramania e pagave ka prekur kategori të ndryshme, sidomos atë të mjekësisë. Ai ka folur rreth situatës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke thënë se mjekët specialistë si shkak i pagës së ulët janë të detyruar të punojnë në klinika private.

  Lekaj jep detaje për projektin e autostradës Prishtinë-Gjilan

“Këto vendime që u morën tash vetëm e kanë çrregulluar situatën. Përndryshe ka shumë probleme në paga, veçanërisht në pagat që kanë disa kategori shumë të ndjeshme, siç janë mjekët specialistë të cilët kanë përgjegjësi të madhe, kanë një pagë tejet të ulët dhe shkojnë e punojnë në spitalet private. Paga është një nga problemet kryesore dhe më të rëndësishme të konsolidimit të gjendjes në QKUK dhe ofrimi i shërbimeve më cilësore, kështu që ajo krijon shumë probleme për pacientët dhe derdhje të buxhetit për t`u shëruar në klinika private brenda apo jashtë vendit”, është shprehur ai.

Sipas Mustafës, duhet të rishqyrtohet situata dhe të kthehet në normalitet duke nxjerrë ligjin për nivelizimin e pagave. Ndryshe, ka thënë ai, do të mbetet një nivel jo i duhur i shërbyesve civilë apo funksionarëve politikë në kryerjen e shërbimeve të tyre ndaj qytetarëve.