Një mbrëmje e paharruar me artistët nga Kosova në Köln

Shoqata kulturore URACult e.V. solli në Köln dramaturgun momentalisht më të kërkuar të Ballkanit Jeton Nezirajn, regjisoren e suksesshme Blerta Nezirajn e bashkë me ta edhe me emra të njohur të skenës teatrale e muzikore të Kosovës.

Çfarë ndodh kur në një mbrëmje në Köln takohen një grup aktivistësh kreativ të një shoqate kulturore, një grup aktorësh e muzicientësh të mrekullueshëm nga Kosova dhe një publik i etur për kulturë e muzikë shqipe në diasporë? Hiq më pak se dramaturgun momentalisht më të kërkuar të Ballkanit Jeton Nezirajn, regjisoren e suksesshme Blerta Nezirajn e bashkë me ta edhe me emra të njohur të skenës teatrale e muzikore të Kosovës, solli shoqata kulturore URACult e.V. në Köln.

Shfaqja e tyre teatrale “Një shfaqje teatri me 4 aktorë…!” e cila është prezantuar me shumë sukses në vende të ndryshme, u prezantua edhe në metropolën pranë lumit Rhein. Nga publiku në Köln u prit, si gjithkund deri tani, me entuziazëm dhe u shpërblye me duartrokitje të gjata.

Për këtë shfaqje është shkruar mjaft por nuk është e tepërt të vlerësohet edhe një herë se aktrimi i Shengyl Ismailit, Adrian Morinës, Ernest Malazogut e Shpëtim Selmanit ishte brilant, si në grup ku harmonizuan shkëlqyeshëm e edhe në rolet e tyre të ndara. Edhe muzicientët Art Lokaj dhe Drin Tashi si pjesë e shfaqjes, me impulsin e tyre muzikor rrumbullakësuan një shfaqje të suksesshme. Por mbrëmja nuk përfundoi me kaq.

Lexo edhe:  Shkodra nderon albanologun Elsie, trupi i tij do prehet në Theth

Muzicientët Lokaj dhe Tashi të cilëve në skenë ju bashkua kolegu i tyre Visar Kuçi, dhanë një koncert njëorësh duke e shndërruar teatrin në një sallë koncerti. Hite të njohura botërore i interpretuan në stilin e tyre të veçantë por as muzika shqipe nuk mungoi.

Një befasi e koncertit ishte ish solisti i grupit muzikor “Telex” Sejat Jakupi i cili ishte i pranishëm në publik. Ai spontanisht u ftua në skenë nga kolegët e tij të rinj duke performuar së bashku me një nga hitet e tij të vjetra.

Muzika nuk mungoi as në After Show Party ku nën tingujt e pianos u këndua deri në orët e vona të mbrëmjes. Por tani kënduan të gjithë së bashku: organizatorët, artistët dhe publiku.

Përgjigjja në pyetjen me lartë është e thjeshtë: mbrëmja mbetet e paharruar!

Vetëm dy javë pas mbrëmjes së suksesshme muzikore URACult Authentics, shoqata URACult me programin e saj kishte qëlluar shijen e mysafirëve të saj dhe me këtë vërtetoi edhe një herë se për një kohë të shkurtë edhte bërë një adresë e rëndësishme e kultivimit të kulturës shqiptare në Gjermani.