Norma e kredive jo-përformuese mbetet mbi nivelin e para-krizës

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Austrisë dhe me Bankën Investive Evropiane, po zhvillon Konferencën Ndërkombëtare “Qasja në Financa, Kreditimi Bankar dhe Sektorët Bankarë në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”. Në këtë konferencë po trajtohen tema dhe çështje të rëndësishme për rëndësinë e aktivitetit të sektorit bankar në rajonin e Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe për të ardhmen e këtij sektori, si një shtyllë e rëndësishme e financave.

Pjesëmarrës të kësaj konference janë ekspertë të shumtë të kësaj fushe, nga banka qendrore e vendit, bankat qendrore të rajonit dhe më gjerë, institucioneve financiare vendore dhe ndërkombëtare si dhe bankave komerciale.

Punimet e konferencës u hapën me fjalën përshëndetëse të U.D i Guvernatorit, z. Fehmi Mehmeti, dhe Ministrit të Financave të Republikës së Kosovës z. Bedri Hamza. Paneli i parë i Konferencës, filloj me trajtimin e temës “Kthimi në binar? Diskutim mbi stabilitetin makro-financiar në Ballkanin Perëndimor” i cili përbëhet nga penalistët, Ruud Vermeulen, Përfaqësues rezident i FMN-së në Kosovë, Elizabeta Gjoni, Zëvendësguvenatore e parë e Bankës së Shqipërisë, Mirjana Mitroviq Mijatoviq nga Banka Qendrore të Malit të Zi, Anita Angelovska Bezhoska, Zëvendësguvernatore e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, Michaela Erbenova, Drejtoreshë Ekzekutive, Konstituenca e EQL-së – FMN, Kryesuese: Helene Schuberth, Udhëheqëse e Departamentit për Hulumtime të Jashtme – OeNB.

U.D i Guvernatorit Fehmi Mehmeti në fjalën hyrëse të tij shprehu falënderim të veçantë për të dy bashkëoragnizatorët e kësaj Konference, Bankën Kombëtare të Austrisë dhe Bankën Investive Evropiane, po ashtu edhe për të pranishmit e tjerë të cilët i janë përgjigjur ftesës për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për sektorin bankar në përgjithësi.

Gjatë fjalës së tij U.D i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit në sektorin financiar në Kosovë me fokus të veçantë në industrinë bankare në Kosovë. Mehmeti theksoj se konferencat si kjo paraqesin një mundësi shumë të mirë për të parë se nga po ecin sektorët bankarë të rajonit tonë dhe si po zhvillohet lidhja ndërmjet tyre dhe ekonomive ku po veprojnë.

Lexo edhe:  Autobus në linjën tre të kryeqytetit

Ndër të tjera Mehmeti the se Përmirësimi i cilësisë së portofolit kreditor konsiderohet si një faktor me kontribut të rëndësishëm në nxitjen e kreditimit bankar, mirëpo fakti se norma e kredive joperformuese në shumicën e këtyre vendeve mbetet mbi nivelin e para-krizës nënkupton se problemet me cilësinë e kredive mund të jenë duke parandaluar një rritje edhe më të shpejtë të kreditimit.

Më pas, për rëndësinë e kësaj konference, për sektorin bankar dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi foli edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza. Ai, ndër të tjera, theksoi se organizimi i këtij forumi ka të njëjtin qëllim – të flasim e të diskutojmë për çështjet që janë me rëndësi për vendet tona, dhe duke u mbështetur në përvojat dhe ekspertizat tona, të punojmë për reforma të mëtutjeshme, në funksion të rritjes më të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Në anën tjetër, Ruud Vermeulen, Përfaqësues i Përhershëm i FMN-së në Kosovë, në prezantimin e tij foli për sistemet bankare në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimin e tyre.

Konferenca po vazhdon punimet me prezantimin dhe trajtimin e disa temave të rëndësishme që kanë të bëjnë me stabilitetin makro-financiar, reflektimet mbi përshtatjen pas krizës dhe modeli ri ekonomik në rajon, si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me zhvillimet e sektorit bankar në përgjithësi dhe flukset e kapitalit në vendet e CESEE, konkurrencën dhe stabilitetin financiar, duke sjellë përvoja nga zhvillimet në shtetet baltike.