Ora 20:45, Itali – Suedi, “të kaltrit” synojnë përmbysjen për të shmangur turpin

Italia, një ndër vendet që ka interpretuar më mirë këtë sport në gjithë historinë e futbollit, rrezikon seriozisht për të mbetur jashtë Botërorit. Tani “të kaltërit” janë braktisur edhe nga “bookmakers”-at, që në pjesën dërrmuese të tyre kuotojnë Suedinë si ekipin e radhës që do të sigurojë biletën për në “Rusi 2018”. Dihej që Suedia përbënte një kërcënim serioz dhe përfaqësonte një ndër kundërshtarët më të ashpër në fazën play off, megjithatë përfaqësuesja italiane tashmë duhet patjetër të përmbysë disavantazhin 1-0 të takimit të parë, përndryshe futbolli në Apenine rrezikon të zhytet në kaos. Një situatë e tillë nuk përjetohej prej dy dekadash, që nga koha e përballjes në play off me Rusinë, kur “axurrët” siguruan pjesëmarrjen në “France 1998” falë rezultatit të përgjithshëm 2-1. Ka kaluar vërtet shumë kohë, megjithatë Gianluigi Buffon e kujton shumë mirë ndeshjen e parë, pasi pikërisht në Moskë portieri legjendar italian bëri debutimin, teksa zëvendësoi Gianluca Pagliuca-n e dëmtuar. Në janar, veterani i portës “axurre” do të festojë 40-vjetorin dhe Buffon në mendjen e tij me shumë gjasa ishte bërë gati për botërorin e gjashtë në karrierën e tij brilante, sidoqoftë të premten e kaluar Xhixhi përjetoi një ndër mbrëmjet më të errëta, ndonëse për hir të së vërtetës kapiteni italian u tradhtua në fund vetëm nga një devijim i Daniele De Rossi-t. E vërtetë, me pak më tepër fat pas gjuajtjes së Jakob Johansson, që zhbllokoi ndeshjen, Italia mund të kishte barazuar rezultatin, por topi i goditur nga Matteo Darmian në vend të rrjetës “puthi” shtyllën e djathtë të portierit Robin Olsen dhe kështu skuadra e Gian Piero Ventura-s është e dënuar për të shënuar patjetër në portën e Suedisë. Italia është kualifikuar për në fazën finale të Kupës së Botës plot 18 herë, ndërsa Suedia në krahun tjetër numëron 11 pjesëmarrje, megjithëse “verdheblutë” munguan në dy edicionet e fundit, ku u eliminuan në të dy rastet nga Portugalia e Cristiano Ronaldos, fillimisht në fazën e grupeve dhe më pas në play off. Italia kryeson bilancin e përgjithshëm me 11 fitore dhe 7 humbje në 24 ndeshjet e zhvilluara ndërmjet tyre, megjithatë në sfidat kompetitive statistikat janë krejtësisht në ekuilibër, me dy ekipet që kanë fituar nga 5 takime në 12 duelet mes tyre. Në përballjen më të fundit përpara play off-it, në Toulouse, në Europianin e fundit, “të kaltërit” patën nevojë për një gol në 88′ nga Eder për të eliminuar Suedinë, gjithsesi tani cdo gjë është e qartë dhe Italia minimalisht duhet të mbërthehet te një rezultat i tillë, por, mbi të gjitha duhet të mos pësojë, përndryshe në përfaqësuesen “axurre” do të dëgjojmë shumë shpejt për revolucion dhe largim masiv të gardës së vjetër. Ndeshja do të luhet në orën 20:45, në Milano, në stadiumin “Giuseppe Meazza” dhe do të gjykohet nga arbitri spanjoll Mateu Lahoz./Supersport

Lexo edhe:  FIFA shënon humbje prej 369 milionë dollarëve!