Përmbytjet, mbi 300 të evakuuar. Ndërhyrje dhe me helikopter

E zhytur në ujë Shqipëria kaloi një natë të vështirë, por duket se më e keqja nuk ka mbaruar. Të paktën 315 persona janë evakuuar gjatë natës. Komiteti i koordinimit të emergjencave njofton se gjatë ditës së sotme pritet rëndimi i gjendjes, veçanërisht në pjesën jugore të vendit.

Po merren masa për menaxhimin e situatës në basenet e lumenjve Vjosë, Shkumbin dhe Seman ku priten edhe prurje të shtuara.

Në mëngjes lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në tregun e gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit. Në zonë janë evakuuar disa familje. 100 pjesëtarë të forcave të armatosura kanë mbërritur në Fier për të ndihmuar banorët e rrezikuar.

Gjatë natës në Fier është ndërprerë energjia në 23 fshatrat e njësive administrative Levan dhe Frakull si pasojë e defekteve në izolatorët e shtyllave të tensionit të lartë.

Shtabi i Emergjencave të Vlorës është aktualisht duke koordinuar punën edhe me qarkun e Fierit. Brenda dy orëve në vijim pritet të nisë edhe evakuimi i gjësë se gjallë në Novoselë, Fitore, Bishan etj. Situata prezantohet e rënduar edhe në Bashkinë e Selenicës, sipas të dhënave mësohet se janë rritur ndjeshëm edhe prurjet e lumit Shushicë, aktualisht rrezikohet zona e njohur si Bishti i Malit dhe ura e Gjormit.

Lumi Vjosa në Përmet ndërkohë ndodhet afër pikës kritike, por nuk e ka kaluar.

Ndërkohë edhe në juglindje të vendit kanë nisur përmbytjet. Në Pogradec uji ka depërtuar në disa banesa dhe biznese. Probleme edhe me lumin e Vërdovës. Është rritur niveli i prurjeve duke rrezikuar daljen dhe vërshimin e ujit. Ndërsa në Korçë ka probleme në aksin Lozhan-Moglicë ku reshje të dendura kanë sjellë bllokim të rrugës si pasojë e rrëshkitjes së gurëve. Të njëjtat probleme edhe në aksin Bilisht-Kapshticë.

Lexo edhe:  Në Ulqin sot janë katërmijë banorë më pak se në vitin 1991

Në Gjirokastër, aksi rrugor Kardhiq-Gjirokastër kalohet me vështirësi pasi ka dalë uji në rrugë tek pika e Viroit. Aksi Fushë Krujë-Laç, kalohet me vështirësi pasi përballë lokal Arbëria në Fushë-Krujë ka dalë uji në rrugë.

Situatë e rënduar edhe në qarkun e Dibrës ku përroi i Peshkopisë ka bërë që një familje të evakuohet dhe të strehohet pranë konviktit.

Në Bulqizë ka probleme në lagjen Allmete, ku uji i përroit ka dalë nga shtrati. Gjithashtu probleme ka dhe në aksin rrugor ku lidhen dy lagjet e qytetit ajo e reja më të vjetrën. Segmentin e rrugës së Arbërit në Vajkal ku ka rrëshqitje gurësh dhe prani uji ndërsa mungon energjia në njësinë administrative Trebisht.

Në Bashkinë Elbasan, Njësia Administrative Gjergjan përroi i Llixhës ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur toka bujqësore, e njëjtë situata paraqitet në njësinë Administrative Shirgjan, por nuk ka problem në banesa.

Përveç akseve me probleme, shume zona në Shqipëri vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike.

Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të evitojnë lëvizjet e panevojshme të këmbësorëve dhe qarkullimin e mjeteve në akset rrugore që paraqesin rrezik nga përmbytjet.

Kërkohet të shmangen në maksimum udhëtimet në këmbë apo me automjete në zonat e prekura apo me rrezik të prekjes nga përmbytjet. Një rrymë uji rreth me thellësi rreth 20 centimetra mund të rrëzojë një kalimtar, ndërkohë që një rrymë më thellësi prej 30 centimetrash mund të rrëmbejë automjetin tuaj gjatë udhëtimit.