Rama-Bashës: Kërkoju falje mediave

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur po përmes rrjeteve sociale deklaratës së Lulzim Bashës, që e quajti kriminal fjalimin e kreut të qeverisë në konferencën “Ditët e Medias” me Komisionerin Johannes Hahn.

Reagimi i plotë i Ramës:

LB ishe ti apo isha unë në Çadër, kur ulërije “të gjitha mediat janë të kapura nga droga përveç një kanali tv”, të cilin i’a rekomandoje publikut si burim të kulluar?! Unë kurrë s’e kam imagjinuar, jo më ta them një veshëgjatllëk të tillë. Është thjesht shpifje!

Prandaj kërkoju falje njëherë të gjitha mediave (përveç njërës) që i kriminalizove me baltën e Çadrës për muaj të tërë, ditë për ditë, pastaj fol sa të duash për rrezikun që u vjen nga fjalët e mia.

Po mos e harro, unë kam jetuar me ta, kam punuar me ta, kam ngrënë kopaçe kokës e më ka dalë edhe gjak për lirinë e fjalës bashkë me ta. Apo s’e mban mend?! Kështu që nga unë e nga fjalët e mia dje, sot e mot, atyre mund t’u dalë më shumë vrer nga goja kundër meje e qeverisë sime, po kurrë nuk u ka hyrë, nuk u hyn e nuk t’u hyjë një gjemb në këmbë. Kurrë.

Por natyrisht, gojë s’kanë vetëm ata dhe gojën time e kam pasur, e kam dhe do ta kem sa të kem frymë, për të vërtetat e mia që nuk i negocioj e as i kyç në heshtjen hipokrite të medemek respektit për median!

Të gjithë jemi të lirë të flasim, njerëzit pastaj janë të lirë t’i gjykojnë të gjithë, edhe mua njësoj si gjithë të tjerët.

Të respektosh median, do të thotë të respektosh lirinë e tyre edhe kur gënjejnë e shpifin, po jo të heshtësh edhe kur gënjeshtrat e shpifjet e tyre bëhen mal para syve të tu. Ashtu sikundër ja edhe tani, në këtë moment, ti je i lirë të gënjesh e të shpifësh ndaj meje, siç po bën prej një muaji e ca – më vjen vërtet gjynah për ty po është e drejta jote të ribëhesh qesharak. Ama njerëzit duhet të dëgjojnë edhe anën time e pastaj gjykojnë vetë ata, mos e ki merak.

Sepse, mos e harro, ta kam thënë shpesh, në publik po edhe sy më sy, kush i merr shqiptarët për budallenj e pëson dhe sa më shumë t’i bëjë për budallenj aq më keq e pëson!

Çudi e madhe me ty o mik që nuk mëson!

Lexo edhe:  Edhe një 18-vjeçar i lënduar në aksidentin që la të vdekur dy kosovarë në Itali