Ramush Haradinaj: Në Kosovë do të fillojë një logjikë e re qeverisëse

Intervistë me Ramush Haradinaj, kandidat i PAN për kryeministër të Kosovës. Haradinaj flet për programin e tij, demarkacionin, dialogun, raportet me Serbinë, koalicionet.

Deutsche Welle: Zoti Haradinaj, kohë më parë ju u liruat nga një gjykatë franceze në Colmar, ku u mbajtët bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar nga Serbia. Ka përfunduar procesi rreth kësaj çështjeje?

Ramush Haradinaj: Jo, ende nuk e kam përfunduar, sepse burimi i problemeve ka qenë dhe mbetet në Beograd. Unë s’kam asnjë vështirësi ligjore me askë, pos me Beogradin dhe siç kam thënë në të kaluarën, nuk i përfilli dhe nuk i respektoj ata.

DW: Si pretendent për kryeministër në këto zgjedhje, në të ardhmen padyshim që do të keni punë me Beogradin. Por para se të kalojmë te kjo çështje, na thuani: çfarë u ofroni qytetarëve të Kosovës si kandidat për kryeministër i koalicionit PAN?

Haradinaj: Ne kemi dy lloj sfidash që na vijnë nga jashtë. Njëra fatkeqësisht është nga Serbia, edhe pse është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vazhdon me pengu njërin nga aspiruesit tjetër – Kosovën, e cila ka nënshkruar MSA-në. Pra është një lloj pengese bukur serioze dhe sipas bindjes time është neglizhuar nga vendimmarrësit në Bruksel. Dhe problemet tjera që i kemi vijnë nga mënyra se si qeveriset vendi. Kemi toleruar shumë gjatë korrupsion në të gjitha nivelet. Ky fenomen është kthy në problem për shtetbërjen tonë dhe duhet të jemi shumë serioz në këtë temë. Ne kemi nevojë që të rikthejmë besimin tek insitucionet. Kjo mund të ndodhë vetëm duke e forcuar shtetin ligjor. Në radhë të parë, pra rend dhe ligj, prokurorë, gjyqtarë, dhe gjyqe që u beson qytetari. Mirëpo, lufta jonë kryesore, sfida jonë, mbetet krijimi i vendeve të punës dhe këtë e mendojmë duke u fokusuar kryesisht tek sipërmarrësit vendorë të vegjël dhe të mesëm, të cilët janë një ushtri e madhe në Kosovë – janë mbi 60 mijë që kanë aktivitete ekonomike, që kanë njerëz të punësuar. Por ata tani ndjehen të vetmuar në Kosovë.

DW: Ka qenë normale në fushatat e kaluara që partitë kanë premtuar 150 mijë, 200 mijë vende pune. Ndërkohë që problemi i ekonomisë edhe më tej mbetet problemi më i madh në Kosovë. Si do ta zgjidhni ju këtë problem, pra keni një koncept të qartë se si mund të ulët papunësia?

Haradinaj: Ekonomia jonë është një ekonomi në tranzicion. Ndërmarrjet tona kanë qenë ndërmarrje shoqërore dhe ka disa vite që ka ndodhë një proces i transformimit të tyre – ai i privatizimit dhe i mundësive për sipërmarrësit. Për fat të mirë, ne kemi sipërmarrës që kanë plane për rritjen e tyre, por ata janë lënë vetëm. Nuk ka pasur një përkrahje të qeverisë dhe institucioneve kosovare dhe në shumë raste edhe janë penguar me burokraci dhe korrupsion. Veprimi i parë pra është krijimi i kushteve më të mira dhe mbështetja e sipërmarrësve në Kosovë, sepse kjo mund të rezultojë me hapjen e vendeve të reja të punës. Krijimi i një qëndrueshmërie të shtetit ligjor, një besimi që gjyqet janë gjyqe në Kosovë. Mendoj se kjo ua lehtëson punën sipërmarrësve vendor dhe njëkohësisht krijon mundësinë për diasporën kosovare që të investojë në Kosovë. Jam i bindur se do të mund të thithim investime të huaja.

DW: Jeni të sigurt që të gjitha këto mund t’i realizoni në koalicion me partitë dhe personat me të cilët në të kaluarën keni pasur probleme. Më konkretisht, pse u futët në këtë koalicion me PDK dhe cila është marrëveshja konkrete?

Haradinaj: Opsionet se kush do ta qeverisë Kosovën ishin të pakta. Ishte opsion i vazhdimit të situatës së njëjtë, ku njëra nga partitë që ishte në pushtet t’i fitojë zgjedhjet apo ndonjë zgjidhje tjetër. Opsioni më konkret që ishte në tavolinë, ishte marrja e përgjegjësive nga ne që ta udhëheqim qeverinë. Asgjë nuk është e lehtë në Kosovë. Madje edhe sikur të ekzistojë vullneti i të gjithëve në partneritetin tonë, prap do të jetë vështirë. Ne e dimë se do të jemi të sfiduar me gjendjen në Kosovë, me të gjitha rrethanat politike, por unë e shoh një vullnet të plotë të partnerëve që vërtetë të kemi një fillim të ri.

DW: Tek qytetarët ka shkaktuar një lloj habie për shkak të kaluares në raportet mes Ramush Haradinajt Kadri Veselin apo Hashim Thaçin. Ndërsa tani ju futeni në koalicion – pra edhe njëherë: jeni të bindur se ky koalicion vërtetë do të funksionojë dhe a keni frikë që në të ardhmen mund të ketë fërkime të reja?

Haradinaj: Ky është një opsion i paparashikuar më herët, as unë se kam besuar se ata do të besojnë në udhëheqjen e qeverisë nga Haradinaj. Por kjo ka ndodhur dhe tani kemi një koalicion parazgjedhor me të cilin do ta kërkojmë votën e qytetarëve. Sipas të gjitha gjasave, ne do të kemi rastin ta qeverisim Kosovën. Pra është një situatë e re dhe dallon nga qëndrimet e mëhershme. Kjo do të jetë një nisje e re.

DW: Dhe ju jeni të bindur pra se ky është një fillim i ri?

Haradinaj: Po është një fillim i ri dhe është ndryshe nga kombinimet e kaluara. Dakordimi është që qeverinë e udhëheqë dikush që ishte në opozitë deri dje, që ka mbrojtur pikëpamje të caktuara politike dhe qeverisëse dhe është një pranim i kësaj logjike qeverisëse që e kam përfaqësuar ndër vite.

DW: Zoti Haradinaj, problemi për të cilin zyrtarisht ka rënë qeveria është demarkacioni. Si do ta zgjidhni këtë problem, kur dihet se ju keni qenë më i zëshmi kundër versionit aktual të demarkacionit?

Haradinaj: Versioni i tanishëm ka ra, sepse nuk është ratifikuar nga parlamenti. Kjo marrëveshje është nënshkruar vetëm nga ekzekutivi, ndërsa qeveria e re do t’i ketë dy opsione: një, që ta ndjekë rrugën deri në parlament ku kjo marrëveshje nuk do të kalojë. Dhe dy, të krijon një grup të ri pune, i cili do t’i gjenë gabimet që kanë ndodhur. Siç e dini, Murat Meha që e ka udhëhequr komisionin e qeverisë së kaluar për demarkacionin, tani ka probleme me ligjin. Opsioni i drejtë i kufirit është – kufiri i Kosovës me Malin e Zi në Qakorr dhe Kullë të Zhlebit. Jam i bindur se me fqiun tonë Malin e Zi, “që e shfrytëzojë rastin ta urojë për pranimin në NATO”, do ta gjejmë zgjidhjen ashtu sic jemi fqinjë dhe miq.

DW: Keni pasur kontakte me Malin e Zi, ne në DW, kemi pasur intervista me zyrtarët e Malit të Zi, të cilët thonë se për ta problemi i demarkacionit me Kosovën është i përfunduar dhe ky problem sic thotë ai është i Kosovës që duhet rregulluar?

Lexo edhe:  Delawie: Kosova është në pikën e kthesës, pres që Qeveria të formohet së shpejti

Haradinaj: Kanë shumë të drejtë, sepse gabimi ka ndodhur nga ana e jonë. Por jemi të dijeni se Mali i Zi është është i hapur që t’a diskutojë çdo detaj rreth demarkacionit.

DW: Ju keni premtuar se brenda tre muajve do ta zgjidhni këtë problem, si do ta zgjidhni?

Haradinaj: Unë besoj që zgjidhja e problemit do të bëhet nga dita që fillon një proces i ri, pra jo mbajtja pezull e një problemi me vite dhe mbatja pezull e procesit politik dhe vendit. Ka qenë gabim kjo logjikë. Nëse qeveria e korrigjon gabimin që ka ndodhur nga komisioni ynë, atëherë kjo shënon një nisje të mbarë. Sa i përket kohës, kjo varet nga vullneti i Malit të Zi sesa shpejtë ata dëshirojnë t’i japin epilog këtij problem. Por ne jemi të bindur se Mali i Zi nuk ka ndonjë motiv që ta pengojë Kosovën.

DW: Pse Mali i Zi duhet ta pranojë një version tjetër, nëse e ka një version të nënshkruar në tavolinë?

Haradinaj: Demarkacioni nuk është ratifikuar nga dy palët. Kufiri shënohet kur parlamentet e të dyja vendeve e ratifikojnë marrëveshjen. Pra kjo është vetëm një marrëveshje në tentativë, por akoma e papërmbyllur.

DW: Si do ti qaseni dialogut me Serbinë?

Haradinaj: Dialogu nuk bëhet për shkak të dialogut, por për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Mendoj se dialogu i deritanishëm ka qenë më shumë për liderët sesa për shoqërinë. Ne duhet ta qartësojmë se çka presim nga një dialog brenda nesh, në parlamentin tonë, me shoqërinë civile, për të gjitha ata që janë të interesuar për raportet Kosovë-Serbi. Mendojmë se dialogu duhet të kalojë në një etapë tjetër. Ne kemi një qëllim në marrëdhëniet me Serbinë, e ai është njohja reciproke. Nuk munde të vazhdojë logjika e deritashme në dialog, ku vërtetë është biseduar për temat e brendshme të Kosovës. Nuk është respektuar reciprociteti dhe nuk është respektuar fare fakti që Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur prej shumë vendeve të botës.

DW: Zoti Haradinaj, Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq deri dje ju kanë akuzuar për krime lufte dhe kanë kërkuar ekstradimin tuaj në Beograd. Si mund ta paramendoni takimin tuaj me këta dy zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë dhe normalizimin e raporteve me Kosovën?

Haradinaj: Unë ua kam njohur edhe shefat e tyre Millosheviqin dhe Sheshelin, këta janë nxënësit e tyre. Ata duhet të rrinë kokëulur para shqiptarëve duke pasur parasysh faktin që çfarë u kanë bërë shqiptarëve. Një kërkim falje është veprimi i parë që ata duhet ta bëjnë.

DW: Zoti Haradinaj, do ta themeloni ju asociacionin e komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjeve së Brukselit?

Haradinaj: Jo, nuk mund ta zbatojmë marrëveshjen e Brukselit në këtë aspekt, sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se kjo marrëveshje nuk është në frymën kushtetuese të Kosovës. Pas këtij vendimitë Gjykatës Kushtetuese, ne duhet të jemi të disiplinuar dhe t’a zbatojmë Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta jonë ka paraparë mundësinë e organizimit të asociacioneve që mund të jenë organe vetëm koordinuese, por jo vendimmarrëse dhe s‘ka veprimtari ekzekutive.

DW: Si e keni menduar qasjen e dialogut me serbët lokal, nëse kemi këtu parasysh faktin që lista serbe që garon prap në këto zgjedhje, vazhdimisht ka qenë nën direktivat e qeverisë në Beograd?

Haradinaj: Ne i gëzohemi marrjes së përgjegjësive nga serbët e Kosovës për komunitetin serb që jeton në Kosovë. Ne nuk kemi ndërhyrë në jetën e tyre të brendshme politike asnjëherë. I gëzohemi edhe dallimeve që ekzistojnë, pra dallimeve politike për temat e caktuara, sepse kjo e bënë demokracinë. Por mendojmë se serbët e Kosovës po vazhdojnë të keqpërdorën nga Beogradi. Është i pakuptimtë pozicioni i tyre politik që ta pengojnë vullnetin e Kosovës p.sh. për ushtrinë, sepe ushtria e Kosovës do të jetë një forcë e krijuar mbi parimet e NATO-os. NATO na jep garanci për Kosovën dhe gjithë rajonin, ndërsa ushtria e Kosovës do të ndërtohet mbi parimet e NATO-os.

DW: Sa ekziston mundësia që asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë në Pazar me mbështetjen e serbëve për krijimin e ushtrisë së Kosovës?

Haradinaj: Kosova nuk është në pazar për temat e veta të brendshme. Logjika e deritanishme ka perënduar, në Kosovë do të fillojë një logjikë e re qeverisëse dhe ne nuk do të jemi peng të askujt.

DW: Si do ta krijoni ushtrinë, keni ndonjë koncept të qartë?

Haradinaj: Është e drejtë kushtetuese që Kosova ta ketë ushtrinë. Ne shpresojmë se do të kemi mirëkuptim, e unë tani më kam sinjale të caktuara që mund të ketë lëvizje në qëndrime nga përfaqësuesit e serbëve në mbështetje të krijimit të ushtrisë.

DW: Për çfarë sinjalesh e keni fjalën?

Haradinaj: Ne komunikojmë në Kosovë në mënyrë të ndërsjellë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë.

DW: Cili është qëndrimi i juaj pas paralajmërimeve që trupat gjermane të KFOR-it të tërhiqen eventualisht në fund të vitit 2018?

Haradinaj: Unë mendoj se KFOR-i është një mision dobiprurës, sepse ky mision e garanton paqen. Ballkani megjithatë është një rajon ku nuk kanë përfunduar të gjitha punët, ende ka tema të hapura, ende është i pakonsoliduar krejtësisht. Ne e mirëpresim qëndrimin në Kosovë të trupave gjermane, të cilat kanë një reputacion jashtëzakonisht të mirë në Kosovë.

DW: Si e vlerësoni rolin e Gjermanisë në Kosovë në vitet e pasluftës?

Haradinaj: Gjermania është partner serioz i Kosovës dhe Ballkanit. Ne jemi tani në një periudhë kur duhet të kryhen punët e Ballkanit, pra duhet të kryhet procesi i njohjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ne si dy vende sovrane të përshpejtojmë avancimin e shtetit ligjor, standardeve evropiane dhe afrimin me BE-në.

DW: Zoti Haradinaj, Gjykata Speciale është një prej temave që e pret Kosovën në të ardhmen. Si do ta zhvillojë Kosova bashkëpunimin me këtë gjykatë?

Haradinaj: Është e habitshme që Kosova t’i nënshtrohet një procesi të tillë. Ajo është një gjykatë njëetnike që është rast precedent dhe i çuditshëm. Konflikti në Kosovë ka rezultuar me humbjen e shumë jetrave, ku shumica janë civilë shqiptarë, të masakruar nga Serbia. Fati i shumë viktimave nuk dihet dhe nuk ka pasur një përgjigje të drejtësisë. Akoma ka trupa të paidentifikuar që mbahen në Beograd. Sidoqoftë Kosova i ka marrë obligimet dhe Kosova do të jetë e përgjegjshme që të përmbush obligimet e veta. Kosova nuk ka pse të turpërohet dhe t’i ikë ligjit.