Reja bërthamore mbi Ballkan: A duhet të shqetësohemi?

Disa vende të Ballkanit thonë se ata zbuluan ndotje bërthamore në atmosferën e tyre në shtator dhe tetor, por i kanë risiguruar qytetarët e shqetësuar se ajo s’është e rrezikshme.

Disa vende të Ballkanit raportuan ndotje bërthamore në atmosferën e tyre gjatë shtatorit dhe tetorit, për shkak të një incidenti të pa raportuar të gjurmuar në Uralet jugore, por ekspertët i kanë risiguruar njerëzit e shqetësuar se nivelet e ndotjes bërthamore nuk janë të rrezikshme.

Agjencia rumune e aktivitetit bërthamor CNCAN tha të enjten se Rumania kishte rreth një muaj që ishte nën renë radioaktive, nga 15 shtatori deri më 10 tetor, me përqendrimet më të larta të ndotjes radioaktive në jug të vendit, nga Deti i Zi deri në Bukuresht. Megjithatë, agjencia tha se nivelet nuk ishin të rrezikshme.

Agjencitë bërthamore bullgare, boshnjake dhe serbe gjithashtu konfirmuan se reja kishte kaluar në vendet e tyre dhe theksuan gjithashtu se nivelet e ndotjes radioaktive nuk ishin të rrezikshme.

Stacionet europiane të monitorimit filluan të zbulonin Rutenium 106 në atmosferë në fund të shtatorit 2017 dhe e gjurmuan atë deri në Uralet jugore, në Rusi ose Kazakistan.

Lexo edhe:  Rekord i ri për thyerjen e arrave për një minutë me një dorë

Shërbimi meteorologjik i Moskës të hënën konfirmoi përqendrime “jashtëzakonisht të larta” radioaktiviteti në pjesë të vendit në fund të shtatorit.

Shërbimi meteorologjik rus nuk iu referua ndonjë burimi specifik të ndotjes, por tha se përqendrimi më i madh ishte regjistruar në Argayash, 30 km larg ndërtesës bërthamore të Mayakut, vendi i katastrofës nukleare të vitit 1957.

Tani ajo është një fabrikë përpunimi për karburant bërthamor të shpenzuar.

Vendet e Europës Juglindore janë pjekur edhe më parë nga ndotja radioaktive, sidomos nga shpërthimi i Çernobilit në vitin 1986 që shkaktoi një re radioaktive.

Pasojat e incidentit u zvogëluan shumë nga regjimet komuniste të asaj kohe./Nga Ana Maria Luca, BIRN