Romano Prodi kthehet në Tiranë: Vendet europiane duhet ta ndihmojnë Shqipërinë

Ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi, ka tërhequr ‘veshin’ politikës shqiptare, teksa i ka kërkuar të zbatojë me përpikëri reformat e bëra, si rruga kryesore për integrimin drejt Bashkimit Evropian. Romano Prodi deklaroi se Shqipëria duhet të bëjë gjithçka me shpejtësi, ku më prioritare mbetet reformimi i sistemit të drejtësisë, por edhe lufta ndaj krimit e korrupsionit.

“Një pikë e rëndësishme janë reformat e bëra, të cilat duhet zbatuar me përpikëri. Është i dukshëm ndryshimi i përditshëm juaji. Me prioritet është zbatimi i reformës në drejtësi, reformimi i sistemit të drejtësisë, lufta ndaj krimit e korrupsionit. Gjithçka duhet bërë me shpejtësinë më të madhe të mundshme, është momenti për të vepruar. Edhe ne duhet të hidhemi në aksion për të përmbushur atë që ka mbetur”, deklaroi Prodi.

Më tej, ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke thënë se është mjaftueshëm i dukshëm.

Në konferencën e mbajtur sot në Tiranë me temë “Roli i ndërkombëtarëve në tranzicion”, ish-shefi i ekzekutivit italian tha se rrjedhat në vendin tonë kanë qenë të jashtëzakonshme, por edhe ndryshimet të mëdha, të cilët i kanë ndryshuar plotësisht fytyrën Shqipërisë.

Lexo edhe:  Ruçi ultimatum deputetëve: Të enjten duam 84 vota

Më tej, ai shtoi se përtej rrjedhës politike, ka dhe disa kushte të tjera që duhen plotësuar për integrimin, për të cilin ish-kryeministri italian shtoi se Shqipëria duhet ndihmuar.

“Progresi i këtij vendi është mjaftueshëm i dukshëm. Sfida e Shqipërisë është lufta ndaj korrupsionit. Ka pritshmëri për një panoramë të re, pavarësisht tranzicionit. Ne kemi gjetur një harmoni me njerëzit në Shqipëri. Shqipëria po ecën në rrugën e duhur për integrimin në Bashkimin Evropian.

Rrjedhat kanë qenë të jashtëzakonshme dhe ndryshimet janë të mëdha deri në momentin që po flasim këtu. Këto ndryshime kanë ndryshuar plotësisht edhe fytyrën e Shqipërisë. Por ky proces ende nuk ka përfunduar, nuk është pra një etapë e përfunduar. Mbetet punë për t’u realizuar për integrimin, ndonëse po ecet përpara. Ka disa kritere për t’u përmbushur, përveç rrjedhës politike. Ne duhet ta ndihmojnë Shqipërinë në këtë proces”, tha Prodi./MAPO