Rrotull Demarkacionit

Vendit i duhet jo vetëm një qeveri serioze që merret seriozisht me problemet e qytetarëve por edhe një opozitë e tillë, një strukturë katalizatore për proceset e rëndësishme, jo një opozitë që kalkulon vetëm ardhjen në pushtet duke dëmtuar interesat e qytetarëve dhe pluralizmin politik.

Në legjislaturën e kaluar kemi pasur rastin të shohim jo vetëm një qeveri që nuk ka mundur të përballojë sfidat, por me paaftësinë e shefit të qeverisë, ka akumuluar probleme, ashtu sikurse kemi pasur një opozitë që për shkak të yshtjes për pushtet ka bllokuar liberalizimin e vizave për shkak të demarkacionit, paçka ky bllokim ishte brutal, dëmtues dhe regresiv në shumë aspekte.

Sot në krye të qeverisë kemi një kryeministër që duhet të ketë të qartë se çka do të bëjë me demarkacionin dhe thuajse të gjithë jemi bërë sy e vesh të marrim vesh se si do ta zgjidh këtë çështje. Kryeministri, mbase duke i parë gjërat nga bregu, nuk e ka menduar se do të hasë në të tilla pengesa e më së paku në qëndrimin e palës malazeze që nuk e do rinegocimin e Marrëveshjes për Demarkacionin.

Të më lejohet të përfrazoj një thënie të Winston Çurçilit, kur thoshte se politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe të kesh aftësinë që më pas të shpjegosh pse nuk ndodhi. Për sinqeritein e lexuesit unë nuk do të japë asnjë koment se çka mendoj në lidhje me këtë e që lidhet kryekreje me kryeminsitrin Ramush Haradinaj e Çështjen e Demarkacionit.

Lexo edhe:  Me çka duhet të krenohet qytetari i Malishevës me qeverisjen e Ragip Begajt?

Por, teksa po orvatesha të shkruajë këtë shkrim, më erdhi ndërmend plaku i urtë nga Kijeva, Ramandan Shabani, i cili i kishte thënë një të riu që kishte kryer fakultet, se paska kryer kot gjithë atë shkollë, derisa ai nuk mund të shohë çka ka përtej bjeshkëve të Pejës.

Nëse kufiri i Kosovës nuk vendoset në Çakorr ashtu siç thotë kryeministri, atëherë besoj se do ta ketë aftësinë për të treguar se pse nuk ndodhi ashtu siç pretendoi ai dhe ata që e kundërshtonin në vazhdimësi e në të gjitha mënyrat versionin aktual të Demarkacionit.

Ata që i shohin gjërat më praktikisht dhe që e njohin mirë rrjedhat politike edhe ato brenda Bashkimit Europianë, nuk po japin ogur të mirë nëse nuk përfitohet në kohë për lëvizje tutje.

Intervista e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj dhënë dje për një media vendore, flet shumë./Shkruan: Metë Bytyqi, (Autori është drejtor i Lajm-it)