Rusia i kundërshtoi deklaratat e shefit të agjencisë CIA

Zyrtarët rusë dje i kanë hedhur poshtë akuzat e drejtorit të agjencisë amerikane CIA, Mike Pompeo, se rusët po përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet për Kongresin e Shteteve të Bashkuara këtë vit dhe se “për dekada” ishin përzier në zgjedhjet amerikane.

“Unë vazhdoj të jem i shqetësuar, jo vetëm për rusët, por edhe për përpjekjet e të tjerëve, po ashtu”, i tha pardje Pompeo rrjetit CBS, duke mos dhënë detaje.

Ai, po ashtu, theksoi se “ne kemi shumë armiq të cilët dëshirojnë ta shkatërrrojnë demokracinë perëndimore”.

Zoti Pompeo tha se Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka rol të rëndësishëm që të krijoj siguri që zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të jenë demokratike.

Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, është përgjigjur ndaj komenteve të Pompeos gjatë një interviste për agjencinë ruse të lajmeve, Interfax, me ç’rast tha se Rusia nuk përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

“Ne nuk jemi përzier dhe as që kurrë nuk do të përzihemi në punët e brendshme të shteteve të tjera”, tha Ryabkov.

Lexo edhe:  Stoltenberg: NATO mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkan

Zëdhënësja e Ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se deklaratat e Pompeos ishin “gënjeshtra”.