Sadiku vlerëson Panuccin: Trajner profesionist, thyej rekordin e Bogdanit

Krahas mbrojtësit shkodran, në konferencën për shtyp të ditës së sotme, është shfaqur edhe sulmuesi i kombëtares, Armando Sadiku.

Ashtu si Hysaj, edhe sulmuesi elbasanas vlerësoi këtë grumbullim të gjatë, si një mundësi e mirë njohjeje me trajnerin dhe idetë e tij.

“Është një trajner shumë serioz, i shikon gjërat në detaje. Stërvitjen e bën profesionale. Ne jemi përkushtuar 100% për të zbatuar detyrat që na ka dhënë. Mendoj që edhe ai ka futur një frymë të re tek ekipi dhe mendoj që edhe për të kanë qenë perfekte këto ditë, pasi ka pasur më shumë mundësi të na njohë”, tha elbasanasi i kuqezinjve.

Aktualisht Sadiku është i vetmi golashënues ende në aktivitet, që mund të përmirësojë rekordin e Erjon Bogdanit, edhe pse ka shënuar vetëm gjysmat e 18 golave të ish-bomberit kuqezi.

“Kam shënuar 9 gola me kombëtaren. Sa herë vesh fanellën e ekipit kombëtar, më bëhet mishi me kokrra. Kur këndohet himni dhe kur e vesh këtë bluzë, për mua nuk ka lodhje. Mundohem të bëj disa gjëra, që ndoshta në klubin tim nuk i bej. Respekt për Alban Bushin dhe Erjon Bogdanin, por unë do të mundohem të shënoj sa më shumë gola”, tha Sadiku.

Lexo edhe:  Mavraj në bjeshkët e Istogut