Selimi: Nëse do të jepja dorëheqje nga VV, do të jepja dorëheqje edhe si deputet

Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, thotë se dorëheqjet e udhëheqësve të partisë nga pozitat e tyre brendapartiake nuk i kanë bërë mirë VV-së.

Sipas tij, nëse ai do të vendoste për largim nga pozita udhëheqëse e partisë do të largohej edhe nga pozita e deputetit të Kuvendit.

“Kemi pasur një kryetar për të cilin s’kam një vërejtje për udhëheqjen e tij. Ka udhëhequr siç ka udhëhequr dhe më vjen keq që ka dhënë dorëheqje, që unë personalisht s’do t’ia preferoja sepse është dashur t’i shkonte deri në fund të mandatit. Asnjë dorëheqje nuk i ka ndihmuar dhe nuk i ndihmon Vetëvendosjes. Asnjë dorëheqje nuk e ka ndihmuar VV-në. Të gjithë janë anëtarë. Përderisa janë pjesë e partisë nuk mendoj se me dorëheqjet e tyre nga pozitat udhëheqëse i kanë ndihmuar partisë”, ka thënë ai.

“Nëse do të vendosja unë të largohesha nga pozita në parti do të jepja dorëheqje prej deputetit”

Në Interaktiv të KTV-së, Selimi ka deklaruar se kërkesa e ish-sekretarit organizativ, Dardan Molliqaj, që Albin Kurti të mos kandidonte për kryetar të partisë ishte e padrejtë.

Lexo edhe:  “Kosova po humb miqtë ndërkombëtarë”

“Edhe me mua edhe me të tjerët Dardani ka ngritur katër çështje. Me tri prej tyre edhe po të mos i theksonte ai do t’i ngritja unë sepse i mbështes. Për shembull, për të parë edhe njëherë profilizimin e VV-së a jemi në profilin tonë apo jo. E dyta ishte diskursi apo përdorja e rrjeteve sociale si platformë diskutimi, sepse donim që debatin ta zhvillonim brenda subjektit. E treta ishte nëse ka nevojë të shohim qëndrimet tona për demarkacionin e bisedimet me Serbinë. E katërta ishte që për hir të një ecje më të balancuar mos të kandidojë Kurti. Për këtë nuk pajtohem se nuk mendoj që në një subjekt mund t’i kërkohet dikujt të mos kandidojë. Mund të ketë thirrje që të mos votohet, por jo që t’i kërkohet dikujt të mos kandidojë. Mendoj se kërkesa ishte e padrejtë. Por këtë kërkesë ka mundur ta realizojë vetëm Kurti”, ka shtuar më tej ai.