Sëmundjet që mban nën kontroll vitamina C dhe problemet shëndetësore që sjell mungesa e saj

Vitamina C shërben si mburojë ndaj shumë patologjive dhe është një element ndihmës kundër gripit dhe rrufës. Disa nga perimet dhe frutat te të cilat gjendet me shumicë, janë: spinaqi, specat, portokalli dhe limoni. Vitamina C është një nga dhuratat e shumta të natyrës, që na ndihmon të kemi shëndet më të mirë. Kjo vitaminë është një antioksidues natyral shumë i fuqishëm, i cili parandalon plakjen e qelizave si dhe mbron organizmin nga shumë patologji. Fatmirësisht, mund ta gjejmë pothuajse në çdo produkt ushqimor, veçanërisht në fruta dhe perime, ndaj duke i konsumuar ato e kemi më të lehtë të marrim sasinë e duhur për mirëqenien tonë.

VITAMINA C NA MBRON NGA SËMUNDJET, DUKE STIMULUAR IMUNITETIN

Vitamina C stimulon mbrojtjen e sistemit imunitar nga shumë sëmundje, që nga rrufa dhe i ftohti e deri te tumoret ose atakët kardiakë. Por si funksionon ajo? Falë aftësive që ka në aktivizimin e funksionit të limfociteve – qelizat përgjegjëse për mbrojtjen imunitare – stimulon prodhimin e substancave kimike mbrojtëse si interferonet. Në këtë mënyrë, na ndihmon të luftojmë rrufën, të ftohtin dhe sëmundjet e rrugëve respiratore, duke përfshirë këtu edhe astmën. Gjithashtu, ka funksion antiinflamator, antiviral dhe minimizon efektin e toksinave të duhanit, ndotjes dhe alkoolit.

VITAMINA C ËSHTË SHUMË E DOBISHME PËR MBROJTJEN DHE RIGJENERIMIN E INDEVE

Acidi askorbik ose vitamina C, është shumë e nevojshme për formimin, mbrojtjen dhe stabilizimin e kolagjenit – proteina zëvendësuese në prodhimin dhe riparimin e indeve lidhëse (lëkura, enët e gjakut dhe kockat) – si dhe në mirëmbajtjen e kapilarëve, mishrave të dhëmbëve dhe dhëmbët. Ajo ndikon edhe në shërimin e plagëve, parandalimin e hemorragjive si dhe riparimin e kockave në rast thyerjeje ose dëmtimi.

VITAMINA C ËSHTË NJË ANTIOKSIDUES TEJET I NEVOJSHËM

Funksioni i saj antioksidues na mbron nga radikalet e lira si dhe ndihmon indet nga plakja. Duke bashkëvepruar në sinergji me vitaminën E, na mbron nga sulmi i këtyre entiteteve, duke parandaluar plakjen qelizore dhe duke kufizuar stresin oksidativ. Bashkëveprimi me këtë vitaminë, luan një rol tejet të veçantë edhe në mbrojtjen e lëkurës nga rrezet ultraviolet. Veprimi i fuqishëm antioksidues i acidit askorbik, është efikas edhe në parandalimin dhe trajtimin e llojeve të kancerit.

Lexo edhe:  A duhet të hamë 3 herë në ditë? Jo!

VITAMINA C DHE ANEMIA

Vitamina C luan rol kyç në përthithjen e disa substancave ushqyese, si hekuri, si dhe në aktivizimin e disa të tjerave, si acidi folik. Ndaj këshillohet që mishin ose perimet t’i spërkatim me lëng limoni ose portokalli. Mbi të gjitha, kjo vitaminë këshillohet të merret nga ata që vuajnë nga anemia.
Frutat dhe perimet janë ndër ushqimet që kanë më shumë acid askorbik ose vitaminë C: 100 g kivi përmbajnë 85 mg vitaminë C.

VITAMINA C: NJË ALEATE NË GJENDJE KRITIKE

Vitamina C ndërhyn në sintezën e disa substancave, si: norepinefrina, hormoni adrenokortikotropik (ACTH), si dhe hormonet steroide, të cilat janë substance që prodhohen në situata stresi për të reaguar ndaj rrezikut.
Aftësia e organizmit për të përthithur vitaminën C ulet si pasojë e: duhanpirjes, stresit, temperaturës së lartë si dhe përdorimit të aspirinës. Madje doza të larta mund të shkaktojnë edhe shqetësime gastrointestinale, si ngërçe dhe diarre.

MUNGESA E VITAMINËS C SJELL PROBLEME NË SISTEMIN TRETËS

Një ushqim i varfër me acid askorbik ose probleme metabolike në përthithjen e tij, mund të shkaktojnë fillimin e skorbutit, një sëmundje sistematike e cila shfaqet me inflamacion, gjakosje të mishrave të dhëmbëve, dobësi dhe anemi të theksuar. Sot, në vendet e industrializuara kjo sëmundje thuajse është zhdukur, por mungesa e vitaminës C mund të sjellë vështirësi në tretje, anemi si dhe shërim të ngadaltë të plagëve.