Shaqir Totaj, i “riu” që kërkon t’i ndryshojë fytyrën Prizrenit

Shaqir Totaj, i “riu” që kërkon t’i ndryshojë fytyrën Prizrenit

Kush është Shaqir Totaj?

Shaqir Totaj: Jam i lindur dhe rritur në Prizren, qytetin emblematik të Kosovës. Prizreni është një komunë për të cilën të gjithë duhet të jemi krenarë, jo vetëm ne në Kosovë por kudo ku jetojnë shqiptarët. Ka një histori të pasur, fshatra të bukura dhe potencial për të bërë edhe më shumë.

Jam i martuar prej 28 vitesh me Fluturën dhe kemi dy fëmijë të mrekullueshëm, Elenën e cila është shkolluar në Austri për dizajn dhe Adonisin, i cili ndjek studimet për ekonomi në Prishtinë.

Jam i lidhur shumë me qytetin e rrjedhimisht edhe me njerëzit. Jo vetëm trashëgimia e pasur historike dhe e kaluara, por Prizrenin e bëjnë madhështor njerëzit: punëtorë, fisnik e të ndërgjegjshëm për atë çfarë përfaqësojnë.

Ata janë krenar me të kaluarën e tyre dhe optimist për të ardhmen. Me këto tipare do ta përshkruaja edhe veten, si një njeri që kam ndarë të mirat dhe të këqijat me këtë qytet. Prandaj, kam mësuar shumë nga ky mjedis ku jam rritur.

E kaluara ime lidhet shumë ngushtë me punën menaxheriale në udhëheqjen e suksesshme të Administratës Tatimore të Kosovës, me sportin, artin dhe shkollimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me bursë të qeverisë amerikane.

Nuk jam politikan pasi më me dëshirë e shoh veten si profesionist dhe menaxher që ka udhëheq institucione të rëndësishme publike.

Prandaj si kandidat i PDK-së i kam hyrë kësaj gare që këtë përvojë ta vë në shërbim të njerëzve të mi, në mënyrë që ta zhvillojmë së bashku Prizrenin ekonomisht.

I kam të gjitha atributet njerëzore e profesionale si menaxher që i duhen një kryetari të Komunës. Në rundin e parë të zgjedhjeve kam fituar shumicën e votave dhe në balotazh me 19 Nëntor, pres të konfirmohem sërish i pari edhe me më shumë vota.

Për ta arritur ndryshimin pozitiv që i duhet Prizrenit duhet punë dhe angazhim i madh, por unë kam vullnetin e pashterrshëm që përnjëmend Prizrenin ta bëjmë ashtu sic e meriton, një qytet të zhvilluar me mirëqenie për qytetarët dhe më të rëndësishmin në trekëndëshin Prishtinë-Prizren-Tiranë.

Pse duhet të të votojnë kur dihet që je i ri në politikë?

Shaqir Totaj: Jo rastësisht më lartë e thashë se nuk jam politikan por një menaxher profesional që jam i gatshëm të menaxhoj me qytetin më të rëndësishëm historik e ekonomik të Kosovës. Janë një sërë avantazhesh që e bëjnë fitoren time të pakontesueshme:

Së pari, kam dëshmuar në mbi 20 vite se mund të udhëheqë në mënyrë shumë profesionale institucione publike të mëdha. Jam ekonomist që di si ta zhvilloj ekonominë.

Jam sportist që di si ta zhvilloj sportin. Jam marrë gjatë me artin dhe kulturën, prandaj kam përvojën dhe vullnetin si ta zhvilloj këtë fushë. Jam shkolluar në Amerikë dhe përvojën e mirë amerikane do ta vë në shërbim të qytetarëve të komunës së Prizrenit.

Së dyti, duke qenë i ri në politikë kam sjell rreth vetes një ekip të ri dhe në bashkërendim me përvojën e shumë njerëzve të ndershëm të PDK-së në Prizren, do të krijojmë një ekip të jashtëzakonshëm të cilët do ta bartin barrën fisnike të zhvillimit të Prizrenit në katër vitet e ardhshme.

Çdo ditë unë pranojë dhjetëra telefonata e mesazhe nga të rinjtë dhe qytetarë vullnetmirë që po i bashkohen ekipit tim dhe të cilat duan të bëhen pjesë e ndryshimit.

Së treti, duke jetuar një kohë dinamike që është në lëvizje dhe kërkesat e qytetarëve në rritje, profili im menaxherial është më i duhuri për të udhëhequr me Prizrenin. Prandaj i kam të gjitha atributet profesionale dhe menaxheriale që i duhen një kryetari për ta udhëhequr një nga komunat më të rëndësishme të Kosovës.

Cili është plani i juaj në këto zgjedhje për të fituar një prej bashkive më të mëdha?

Shaqir Totaj: Plani im nuk është megaloman por një ofertë reale për problemet konkrete të njerëzve. Është i matshëm dhe i mbështetur mbi nevojat e qytetarëve dhe të Komunës së Prizrenit. Është një plan zhvillimor. I hartuar në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të qytetit, plani ka 17 prioritete dhe 55 zotime konkrete të ndara në 6 fusha kryesore.

Ekonomia dhe mirëqenia është fokusi im kryesor pasi me profesion jam ekonomist, dhe kjo është sfera që me më shumë dëshirë angazhohem. Përvojën e marrë në ATK dhe SHBA, më ka ndihmuar si të menaxhoj me paratë publike dhe çdo cent do ta investoj në të mirë të qytetarëve.

Si ekonomist, do ta zbusë papunësinë dhe rritë mirëqenien e secilës familje të Komunës së Prizrenit, prandaj edhe kam propozuar Fondin për Zhvillim prej 2 milionë eurosh.

Një aspekt i dytë është arsimi, pasi shkollat tona ende kanë nevojë për investime e ngritje të cilësisë. Pos rritjes së investimeve, ndarjes së bursave për më të mirët, do të përfshijmë edhe prindërit në procesin vendimmarrës të menaxhimit të shkollave.

Një aspekt i tretë është kultura, rinia e sporti, ku kam propozuar masa konkrete që në vitin e parë të mandatit tim.

Trashëgimia e pasur e Prizrenit duhet ti tregohet edhe botës. Prandaj rritja e investimeve me qëllim të hartimit të një kalendari unik kulturor dhe të turizmit do të jetë një nga prioritetet në mënyrë që mbi 100 objekte të rëndësisë së veçantë të mund të restaurohen dhe ti tregohen botës.

Lexo edhe:  Hoxhaj: Dialogu me Serbinë nuk ka kuptim pa njohjen e shtetit të Kosovës

Duke tërhequr më shumë investitorë, ne do të rrisim zinxhirin e investimeve në qytetin tonë. Po ashtu, kemi në plan inicimin e një projekti të turizmit rajonal ku në bashkëpunim me disa qytete të rëndësishme në rajon si në Berat, Gjirokastër, Shkodër, Prizren e me radhë të bëjmë një ofertë të veçantë për turistët e huaj.

Në sport, si sportist për një kohë të gjatë, i di nevojat dhe kërkesat e sportistëve dhe klubeve të Prizrenit. Duke qenë edhe vet ish bursist i qeverisë amerikane, do të rrisë numrin e bursave për studentët e talentuar të Prizrenit dhe do të vendosi bashkëpunime konkrete me universitetet botërore. Shëndetësia, përkujdesi për njerëzit në nevojë dhe të moshuarit, janë prioritete mbi prioritete.

Çfarë premtoni se do të sillni ndryshe në Prizrenin?

Shaqir Totaj: Edhe në jetën e përditshme nuk jam njeri që jam premtime të mëdha. Nuk jam nga ata që flasë shumë. Madje preferoj të kundërtat, të bëjë premtime të vogla por ti realizoj ato dhe ti mbaj premtimet.

Dhe për më tepër preferoj të punoj se sa të flasë. Kështu e kam konceptuar edhe këtë fushatë, prandaj kur e shihni edhe programin tim, edhe diskursin publik do ta kuptoni se preferoj më parë të kryej punë se sa të flasë për to ende pa i nisur. Prandaj pyetjes tuaj do ti përgjigjesha kështu: Nuk do të ndryshoj asgjë nga ajo jetë që kam bërë para se të zgjidhem Kryetar i Komunës.

Do të bashkëqeverisë me njerëzit, do të jetoj me hallet dhe kërkesat e tyre, do të mbështesë idetë e mira dhe njerëzit profesionist, do ta respektoj në maksimum ligjin ashtu siç kam bërë tërë jetën. Mbi të gjitha jam i pa korruptuar dhe do të qeverisë në mënyrë të pa korruptuar. Prizrenin do ta hapi për botën, pasi është një thesar historik e kulturor i fshehur. Ende bota nuk ka parë agjë nga trashëgimia e pasur ilire, shqiptare, bizantine, austrohungareze dhe osmane, e cila edhe pse është dëmtuar në një masë, me investime dhe angazhim do të mund të rimëkëmbet.

Prizreni tashmë është kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, së fundi edhe i filmit përmes Dokufestit. Por zotohem se do të jetë më shumë se aq sepse i ka të gjitha parakushtet historike, gjeografike dhe njerëzore. Prizreni do të brendohet në mënyrë unike sikurse kanë bërë shumë qytete të vjetra në Evropë. Nuk jam përjashtues dhe do të jem i hapur për çdo ide të mirë, madje edhe kur ajo vjen nga opozita.

E theksoni shumë sportin, shihni ngjashmëri me politikën?

Shaqir Totaj: Faleminderit për këtë pyetje pasi më kanë pyetur edhe herë të tjera. Sporti është pjesë e pandarë e imja, vecmas baketbolli, fitnesi dhe biçikleta. Jam shumë i rregullt dhe më vjen mirë që këtë rregull e ndjekë kudo që jam. Është një lloj disipline që e fiton me kohë përmes sportin që të ndihmon shumë në jetë.

Kjo po më ndihmon këto ditë edhe në politikë. Nuk ka shumë kohë që i kam hyrë politikës por më besoni që shoh mjaft ngjashmëri vecmas në kuptim të lidershipit, dinamikës, punës në ekip dhe përballjes më rivalët.

Madje si një sportist, garat më motivojnë dhe konkurrenca më motivon që të jem më i suksesshëm dhe më i mirë se ata. Është diçka që në sport e ke të mishëruar dhe lehtësisht mund të përdoret edhe në politikë.

Është e rëndësishme që avantazhet e sportit që i jep vecmas sa i përket mentalitetit të fituesit të mund të aplikosh edhe në politikë. Prandaj përgjithësisht sporti, e vecmas basketbolli është një anë e imja pa të cilën nuk do të mund ta imagjinoja jetën time. Këtyre ditëve të fushatës po e shoh se politika dhe sporti po e plotësojnë shumë mirë njëra-tjetrën tek unë.

Si e sheh të ardhmen tënde në PDK dhe politikë?

Shaqir Totaj: Arsyeja e kandidimit tim krah Partisë Demokratike të Kosovës, është sepse kam besimin që kjo parti ka fuqinë dhe energjinë për të shtyrë përpara ndryshimet konkrete që i duhen Prizrenit.

Unë si Kryetar i ardhshëm i Prizrenit do të angazhohem që të jem përfaqësim sa më i mirë i PDK-së në Prizren, por po ashtu do të punoj dhe do të angazhohem në modernizimin e partisë, gjë për të cilën është i përkushtuar edhe kryetari Kadri Veseli.

Kjo është edhe një arsye tjetër pse kam vendosur që të kandidohem me PDK-në: sepse kjo parti ndër vite ka ndryshuar dhe zhvilluar vendin tonë, duke e ndryshuar dhe zhvilluar vetveten.

Unë e shoh angazhimin për Prizrenin si një mision timin jetësor pavarësisht në cilin pozicion jam, në politikë apo jashtë saj. Sepse Prizreni është qytet që më ka dhënë shumë gjatë gjithë jetës sime, dhe jam i gatshëm që t’ia kthej të mirat duke punuar për zhvillimin dhe ndryshimin pozitiv që i duhet. /Albeu