Shkodra nderon albanologun Elsie, trupi i tij do prehet në Theth

Pas Tiranës, përpara përcjelljes për në banesën e fundit, ishte Shkodra qyteti që nderoi albanologun Robert Elsie.

Homazhet në nderim të tij u zhvilluan në hollin e Bashkisë Shkoder, qytet me të cilin ai ishte i lidhur shumë sa ishte gjallë.

Puna e tij kolosale e veprat që la pas, i bëjnë të varfra fjalët në një moment të tillë. Por vleresimet për Elsie nuk mungojnë nga ata që punuan me të apo që e njohën përmes veprave që na la si trashëgimi, transmeton Klan Kosova.

Partneri i tij i një jete, Stephan Trierweiler i falenderoi të gjithë për nderimet që i bënë mikut të Shqiptareve.

Pas homazheve trupi i pajetë u nis drejt Alpeve Shqiptare, në Theth, aty ku do të prehet përjetësisht. Robert Elsie, u nda nga jeta më 2 tetor në moshën 67-vjeçare. I lindur në Kanada, ai kishte lidhje të veçanta me Shqipërinë dhe do të mbahet mend si studiues, përkthyes, njeriu që i dha zë në anglisht autorëve më brilantë të letërsisë shqipe nga Fishta e Migjeni te Ali Podrimja dhe Fatos Kongoli.

Lexo edhe:  Dua Lipa në mesin e yjeve që pritet të shkëlqejnë

Një kontribut të çmuar Elsie dha me dëshmitë e rralla etnografike që ka mbledhur për shqiptarët, fotografi, objekte, regjistrimin audio të gjitha në gjuhën shqipe, shkruan Ora.