Statusi i Kosovës, çështja më e rëndësishme nacionale e Serbisë

Statusi i Kosovës është çështja më e rëndësishme nacionale e Serbisë, në zgjidhjen e së cilës do të mundë të kontribuonte formimi i një komisioni nacional apo shtetëror, është thënë në Beograd, në tryezën që për temë diskutimi ka pasur dialogun e brendshëm për Kosovën, të iniciuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Përfaqësuesit e Institutit për shkenca shoqërore dhe humanitare vlerësuan se “dialogu i brendshëm” nuk duhet të jetë i kufizuar në kuptimin kohor, dhe se zgjidhja e propozuar duhet të kënaqë edhe palën serbe e edhe palën shqiptare, shkruan sot “Koha Ditore”.

Njëri nga pjesëmarrësit e tryezës, ku ishin 50 ekspertë nga 22 institute, Momqilo Pavloviq nga Instituti për Historinë Bashkëkohore, ka thënë se nuk ekziston një zgjidhje e vetme dhe e shpejtë.

Misha Gjurkoviq nga Instituti për Studime Evropiane gjatë diskutimit kundërshtoi idenë e demarkacionit apo ndarjes së Kosovës, derisa Vojislav Pavloviq nga Instituti Ballkanik i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë ka thënë se “krahas brengosjes për territorin, duhet pasur kujdes edhe për njerëzit”.

Lexo edhe:  Mustafa shprehet i bindur në fitoren e 22 tetorit

Pjesëmarrësit kanë shprehur qëndrime të ndryshme për zhvillimet historike në Kosovë dhe për raportet e tashme. Ky ka qenë edhe konkluzion i zyrtarëve që kanë marrë pjesë – shefi i grupit punues për mbështetjen e dialogut të brendshëm, Marko Gjuriq, ministri i Arsimit, Mladen Sharçeviq, dhe sekretari i përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviq.

“Kemi dëgjuar qëndrime diametralisht të kundërta”, ka thënë Gjuriqi. “Ky është kualiteti i këtij diskutimi dhe mendoj se prej tij mund të mësojmë shumë”.

Më 16 tetor, Qeveria e Serbisë ka formuar grupin punues me qëllim të ofrimit të mbështetjes së dialogut të brendshëm për Kosovën. Pjesëmarrjen e kanë përkrahur Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe Arteve, shoqëria civile dhe një pjesë e opozitës.

Zgjidhja e cila duhet të jetë rezultat i dialogut të brendshëm, sipas fjalëve të presidentit Aleksandër Vuçiq, duhet të jetë e formuluar më së largu në marsin e vitit 2018.