Surprizon Meta: Ja sa mandate do të marrë LSI-ja në Tiranë

Kreu i Kuvendit Ilir Meta në takimin elektoral të LSI në sheshin ‘Nënë Tereza’ deklaroi se “aq mandate sa mori LSI përpara 4 vitesh në 2013 kur ishte në koalicion me Rilindjen aq mandate do t’i marrë vetëm në Tiranë në 25 qershor”.

“Kam një mesazh të fortë për Lefter Kokën. Lefter Koka, unë e di që rinia e Durrësit është e parë, mos bëj garë me Tiranën, do të dalim 12 deputet.

Ndërsa për sondazhet e Rilindjes, dua t’ju them të gjithë shqiptarëve, jo atyre 600 mijë që e kanë vendosur prej kohësh të nxjerrin LSI-në forcë të parë, sondazhet e Rilindjes janë si “palmat e Rilindjes”, janë të shtrenjta, por janë të pashpresa siç janë tharë palmat e Rilindjes në autostradën Tiranë-Durrës.

Aq mandate sa mori LSI përpara katër vitesh në vitin 2013 kur ishte në koalicion me Rilindjen, aq mandate do t’i marrë vetëm në Tiranë në 25 qershor.

LSI do të jetë forcë e parë, sepse ne nuk mund të jemi rrotë më rrotë me Sierra Leonen në gjithë botën përsa i takon fenomenit dhe të braktisjes së vendit.

Mirë në Sierra Leone ka patur luftë civile, mirë në Siera Leone ka një sëmundje shfarosëse që quhet Ebola, po këtu çfarë ka?

E kemi dhe ne një sëmundje të tmerrshme shfarosëse të vlerave më të mira kombëtare, njerëzore, shoqërore dhe demokratike: Ebola jonë quhet Rilindje!

Lexo edhe:  CIA: Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Greqia e Turqia ishin në prag të luftës për shqiptarët e Maqedonisë (Dokument)

Ebola jonë është mashtrimi dhe pabesia më e madhe që ka njohur kjo tokë mijëra e mijëra vjet!

Viktima e parë e kësaj Ebole ka qenë vetë Partia Socialiste, një parti me vlera të shkëlqyera e cila nuk ekziston më si e tillë sepse është Partia e Rilindjes që e ka zëvendësuar atë për fat të keq.

Dhe këto nuk jua thotë një socialist që udhëheqësi i Ebolës që erdhi në Shqipëri me lugë në brez për tu ulur në karrigen e Ministrit, këto ua thotë një eurosocialist, një student i dhjetorit që vajti në Partinë Socialiste ku të gjithë shkonin mbas PD dhe mbas Berishës, kur ishte në ditët e saj më të zeza për të krijuar një alternativë të re si rinia eurosocialiste” tha Meta.

Petrit Vasili: Të ndahemi nga çmenduria, të shporrim planin e tepsisë

Lëvizja Socialiste për Integrim po zhvillon sot një miting me simpatizantët e saj në Sheshin ‘Nënë Tereza’.

Kreu i LSI Petrit Vasili bëri thirrje “të ndahemi nga cmenduria”, teksa tha se LSI ka plan për t’i kthyer Shqipërinë të rinjve, dhe “ora nuk pret më”.

“Populli do çlirohet njëherë e përgjithmonë nga mizoritë. LSI ka planin për mirëqenin e vendit, planin për Shqipërinë ndryshe. Me planin e LSI të shporrim planin e tepsisë. Lëvizja Socialiste për Integrim e vetmja zgjidhje për Shqipërinë. Të tjerët kanë plan koncesionet e drogën, LSI plan për Shqipëri të begatë”, tha ai.

SHARE