Takim i zyrtarëve të Greqisë dhe Maqedonisë për emër

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, është takuar me zyrtarë të Greqisë në Athinë, në përpjekje për ta zgjidhur kontestin e vjetër më tepër se dy dekada lidhur me emrin e Maqedonisë.

“Ne jemi të përkushtuar për të gjetur zgjidhje në këta gjashtë muaj”, tha zoti Osmani, pas bisedimeve të djeshme dhe ka shtuar se “2018-ta është vit i artë për mundësinë për vendin tim që të bëjmë progres në kuptimin e integrimit evro-atlantik”.

Ky takim u bë para rundit të ri të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, ndërmjet negociatorit maqedonas, Vasko Naumovski, dhe atij grek, Adamantios Vasilakis, që pritet të mbahet më 17 janar në Nju Jork, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë burime diplomatike.

Greqia nuk pajtohet me emrin e fqinjit të vet, prej pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, duke argumentuar se ky emër paraqet pretendime territoriale në disa pjesë të Greqisë, që e kanë po këtë emër.

Kundërshtimet e Greqisë e kanë ndërlikuar synimin e Maqedonisë për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Lexo edhe:  Donald Trump jep betimin, bëhet presidenti i 45-të i SHBA-së